Kriza globale dhe ngritja e çmimit të energjisë elektrike, shtron nevojën për bashkim energjetik Kosovë- Shqipëri për të siguruar furnizim të qëndrueshëm, konkurrencë dhe çmime të favorshme për konsumatorët familjarë.
Kështu ka thënë sot Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore(INDEP) gjatë prezantimit të punimit me temë “Bashkimi energjetik Kosovë-Shqipëri – Sfidat dhe Mundësitë“.
Abazi konsideron se si përgjigje ndaj krizës dhe zhvillimit të tregut në përgjithësi, është e domosdoshme që institucionet e të dyja vendeve menjëherë të fillojnë përshpejtimin e hapave drejt bashkimit energjetik Kosovë-Shqipëri.
“Ne bashkimin energjetik, ose bashkimin kombëtar energjetik nuk e shohim në terma patriotik, ose të termave nacionaliste, por e shohim si një nevojë edhe të integrimit evropian. Pra, si një vlerë të cilën BE dhe Traktati i Komunitetit të Energjisë në veçanti e thekson dhe promovon si vlerë bashkimin e tregjeve dhe bashkëpunimin rajonal në fushën e energjisë”, tha ai.
Abazi o ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë që në një mbledhje të përbashkët të nisin hartimin e një strategjie energjetike.
“I bëjmë thirrje të dyja vendeve që të fillohet ky proces menjëherë dhe ndoshta me një mbledhje të përbashkët të qeverive të të dy vendeve. Të shpallet një datë e bashkimit energjetik Kosovë-Shqipëri dhe të nisin procedurat për një strategji të përbashkët energjetike. Ne nuk mendojmë që bashkimi duhet të ndalet vetëm në bursën shqiptare të energjisë, por konsiderojmë që edhe në nivelin e politikave duhet të kemi një bashkërendim të plotë, për një strategji të përbashkët të energjisë, me të cilën do të mund të planifikohen edhe kapacitetet e përbashkëta prodhuese”, theksoi Abazi.
Bashkimi energjetik, sipas tij, në radhë të parë do të ndihmonte konsumatorët dhe tregtarët.
“Për ne bashkimi energjetik me Shqipërinë, në radhë të parë është një proces i cili ndihmon konsumatorët, sepse në një më të madh, edhe pjesa e liberalizimit të tregut do të ishte më e lehtë. Kjo në kuptimin që tregtarët do të mund të tregtonin në mënyrë më efecientë dhe të shpejt përmes bursës shqiptare do të mund të kryheshin këto transaksione në mënyrë transparente. Kjo po ashtu do të ndikonte në rritjen e transparencës në treg dhe I ndihmon në fund konsumatorëve me çmime më të lira mira me mirëqenie më të lartë”, ka thënë Abazi.
INDEP konsideron se një bashkëpunim i tillë me Shqipërinë mundëson prodhim më të madh të rrymës nga burimet e ripërtritshme dhe më pak nga burimet ndotëse, si dhe më tepër përfitim për qytetarët konsumatorë.
Më 22 tetor, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), Enti Rregullator i Energjisë së Shqipërisë (ERE), dhe operatorët e sistemeve të transmetimit të Shqipërisë dhe Kosovës (OST dhe KOSTT) të mbështetur nga USAID kanë nënshkruar marrëveshjen kornizë të bashkëpunimit të tregjeve të energjisë elektrike.
Sipas ZRRE-së, kjo marrëveshje përcakton të drejtat, detyrimet dhe hapat e nevojshëm që palët nënshkruese duhet të ndërmarrin për të bashkëpunuar në lidhje me organizimin e tregjeve të bashkuara të energjisë elektrike. /Gazeta Enigma.