Të gjitha partitë politike të regjistruara dhe aktive në Kosovë janë të detyruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të deklarojnë nëse do të marrin pjesë apo jo në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të caktuara për 7 qershor 2026.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se partitë duhet gjithashtu të informojnë KQZ-në brenda afatit të përcaktuar nëse planifikojnë të garojnë në kuadër të ndonjë koalicioni.
Elezi ka bërë të ditur se ky obligim vlen për gjithsej 53 parti politike që aktualisht janë të regjistruara dhe funksionale në vend.
“Të gjitha partitë politike të regjistruara në Kosovë, janë të obliguara që në një afat prej 7 ditësh, pra nga 1 maji deri më 7 maj, të njoftojnë KQZ-në, për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Ky obligim vlen vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive politike në Kosovë, pra jo edhe për subjektet politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje si nisma qytetare apo kandidatë të pavarur”, njoftoi Elezi.
Elezi theksoi se deri më 7 maj, partitë kanë afat që të njoftojnë KQZ-në në rast se duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të cilat janë të regjistruara në KQZ dhe të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme përmes koalicionit duhet ta njoftojnë KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollim Financiar të Subjekteve Politike se duan të marrin pjesë në këto zgjedhje në këtë mënyrë. Afati i fundit për të bërë këtë njoftim është data 7 maj 2026. Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike dhe sipas ligjit, partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jete certifikuar derisa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ. Gjithashtu partia politike e cila është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo edhe si parti e veçantë në të njëjtat zgjedhje”, tha ai
