KQZ: Deri të hënën janë refuzuar 569 aplikime për votim me postë

KQZ: Deri të hënën janë refuzuar 569 aplikime për votim me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar sot se deri të hënën në mëngjes janë pranuar përmes platformës elektronike 1971 aplikime për regjistrim për votim me postë. KQZ-ja ka njoftuar se 1402 prej aplikimeve janë aprovuar, ndërsa 569 janë refuzuar. 

Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tij jashtë Kosovës, si dokument identifikues në të cilin është e shënuar adresa e banimit, vërtetimi i adresës nga autoriteti lokal, kontratë e qirasë, faturë shërbimesh, dokument i lëshuar nga banka apo kompanie e sigurimit apo dokument që dëshmon adresën e personit tek i cili qëndrojnë përkohësisht. Po ashtu ndonjë dëshmi tjetër për raste specifike, si rezervim hoteli, konvikti. 

“Deri më sot (e hënë, 4 gusht, ora 08:00) përmes platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org janë pranuar 1,971 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 1,402, ndërkaq janë refuzuar 569. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tij jashtë Kosovës (dokument identifikues në të cilin është e shënuar adresa e banimit, vërtetim i adresës nga autoriteti lokal, kontratë të qirasë, faturë shërbimesh, dokument i lëshuar nga banka apo kompania e sigurimit, dokument që dëshmon adresën e personit tek i cili qëndrojnë përkohësisht, dëshmi tjetër banimi për rastet specifike (rezervim hoteli, konvikti etj.)). Sipas procedurës, aplikimet e pakompletuara, të cilat kanë mungesë të dokumenteve mbështetëse, do të refuzohen. KQZ informon rregullisht dhe personalisht aplikuesit e refuzuar për arsyet e refuzimit të kërkesës së tyre dhe se do të mund të ri-aplikojnë përmes platformës për regjistrim duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së. Kjo do të mundësohet gjatë kohës sa zgjatë periudha e regjistrimit”, ka njoftuar KQZ-ja. 

Nga 23 korriku deri më 29 gusht të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë vendit për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Aplikimi bëhet përmes platformës elektronike apo përmes postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. / Gazeta Enigma.

Related Articles