Qindra raporte financiare vjetore dhe të fushatave zgjedhore të partive politike, që u takojnë dy viteve të fundit 2021 dhe 2022, janë në pritje të auditimit. Pikërisht për këtë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka iniciuar procedurën tenderuese për përzgjedhjen e operatorit ekonomik dhe e cila do të përfundojë më 30 maj.
Deri më tani auditimi i raporteve financiare vjetore dhe raporteve financiare të fushatave zgjedhore është bërë nga auditorë të cilët i përzgjidhte Kuvendi i Kosovës përmes Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, por me ndryshimet e reja në Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike, kjo detyrë i është rikthyer KQZ-së.
Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, ka thënë për Radio Kosovën se auditimi do të përfshijë raportet vjetore financiare të partive politike për vitet 2021 dhe 2022 si dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 dhe të zgjedhjeve lokale të po të njëjtit vit. Sipas KQZ-së, numri i përgjithshëm i raporteve që do të auditohen është 215 dhe të gjitha ato janë në sirtarët e këtij institucioni.
“Është detyrim ligjor për partitë politike që deri më 1 mars të çdo viti të dorëzojnë në KQZ raportin vjetor financiar. Auditimit do t’i nënshtrohen 99 raporte financiare të partive politike që u takojnë dy viteve, 2021 dhe 2022. Ndërsa, siç është e ditur, gjatë vitit 2021 kemi pasur dy procese zgjedhore, parlamentare dhe lokale”, thotë Valmir Elezi nga KQZ-ja. “Prandaj, po sipas ligjit, subjektet politike që marrin pjesë në një proces zgjedhor e dorëzojnë raportin e tyre për deklarimin e shpenzimeve të fushatës. Si rrjedhojë, në procesin e audimit do të përfshihen edhe 116 raporte të tilla”, tha Elezi për Radio Kosovën.
Të gjitha këto raporte, tashmë veçse janë të publikuara më herët në ueb faqen e KQZ-së. Ky institucion kishte vendosur t’i publikonte këto raporte të paaudituara me sqarimin se të njëjtat mund të pësojnë ndryshime pas procesit të auditimit.
Por, pse është e rëndësishme të bëhet auditimi i këtyre raporteve që tashmë janë të njohura për publikun?
“Me qëllim të rrijtes së transparencës para qytetarëve, prej disa vitesh KQZ-ja i publikon këto raporte edhe kur ato janë të paaudituara. Auditimi është proces që tregon nëse subjektet politike kanë zbatuar ligjet dhe rregullat e fushës së financave”,tha Elezi.
Sipas tij, ky proces është i domosdoshëm pasi Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike që funksionon në kuadër të KQZ-së, e ka për obligim ligjor që raportet përfundimtare të auditimit t’i dorëzojë në Zyrën e Prokurorit të Shtetit dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, përfshirë Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Njësinë e Inteligjencës Financiare ose Administratën Tatimore të Kosovës, kur dyshimi për parregullësi bie nën kompetencën e njërës ose më shumë nga këto institucione.
Edhe në të kaluarën, procesi i auditimit ishte detyrë e KQZ-së, por më pas i kishte kaluar Kuvendit të Kosovës, për t’u rikthyer sërish në KQZ pas ndryshimeve në ligjin për financimin e partive politike i miratuar në shtatorin e vitit 2022.