KQZ njofton se janë numëruar 13 nga 50 vendvotime, procesi po vazhdon

KQZ njofton se janë numëruar 13 nga 50 vendvotime, procesi po vazhdon

Nga KQZ kanë njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar rinumërimi i vendvotimeve sipas vendimit të KQZ-së, i datës 10 mars 2025, raporton Gazeta Enigma.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për Gazetën Enigma ka thënë se “sipas të dhënave, deri në përfundim të ditës së hënë janë rinumëruar 13 vendvotime nga 50 sa është numri i përgjithshëm i tyre për të cilat ka marrë vendim KQZ. Vendvotimet e rinumëruara deri më tani i takojnë komunës së Vushtrrisë”.

Gjatë ditës së martë do të procedohet me rinumërimin edhe të vendvotimeve të tjera.

Ndërkaq kujojmë se në mbledhjen e mbajtur më 10 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori dy vendime për rinumërimin e 50 vendvotimve.

Fillimisht, KQZ mori vendim për rinumërimin e 15 vendvotimeve nga komuna të ndryshme të Kosovës, në të cilat është zhvilluar procesi i votimit më 9 shkurt 2025. Sipas rekomandimit të prezantuar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, gjatë pranimit të rezultateve në këtë qendër nga Qendrat Komunale të Numërimit është hasur në mospërputhje të numrit të nënshkrimeve në Listën e Votuesve me numrin e fletëvotimeve brenda në kutitë e votimit të këtyre vendvotimeve. Në vazhdim, KQZ mori vendim për rinumërimin e plotë të fletëvotimeve për subjektet politike dhe kandidatët nga 35 vendvotime për shkak se ekzistojnë mospërputhje në rezultate. Këto vendvotime i takojnë komunës së Vushtrrisë në të cilat është votuar më 9 shkurt 2025. / Gazeta Enigma.


Related Articles