Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shkuar për të pame te familja e Kadri Veselit pas vdekjes së babait të tij 94 vjeçar.
Ai tha se dhimbjen e shton edhe më shumë fakti se i biri i tij Kadri Veseli, që po mbahet në paraburgim në Hagë, nuk është i pranishëm.
“Është një vdekje e cila bëhet më e vështirë për faktin që ne në mënyrë të padrejtë sot nuk e kemi kryetarin Kadri Veseli në mesin tonë dhe pa dyshim që e ndjejmë dhe e ndajmë dhimbjen e familjes. Baca Fazli ka qenë një njeri jashtëzakonisht i mirë, i urtë, i butë dhe mbështetës. Jeta e gjatë e të cilit është me të vërtetë një symbol i rezistencës, sepse ka qenë njeri që ka edukuar shumë fëmijë, mes tyre edhe Kadri Veselin, të cilët i ka brumosur me vetëdijen dhe dashurinë për vendin dhe veprimtarinë patriotike dhe çlirimtare. Ka qenë bazamenti familjar që edhe Kadri Veseli e ka marrë nga baca Fazli, nëna dhe vëllezërit e tij”.
Krasniqi tha se Fazli Veseli do ta kujtojnë me respekt maksimal.
“Sa herë që kemi ardhë në familjen e tyre këtu në Bair të Mitrovicës kemi marrë vetëm energji të mirë dhe këshilla të mira. Gjithsesi që do të na mungojë. Është një prind që ka jetuar një jetë të vështirë. Ka jetuar gjatë dhe gëzohem që ka lënë shumë trashëgimtarë, por nuk e ka pasë një jetë të lehtë gjatë kohës në veprimtari në ilegale, edhe në luftën e UÇK-së. Sot kemi dhimbje edhe për faktin që sot nuk e kemi në mesin tonë kryetarin Veseli gjë që e vështirëson edhe për familjen dhe ne bashkëpunëtorët e tij këtë moment”.