Krasniqi: Kosova është me fat që pati një mbrojtëse e mike të tillë si Albright

Krasniqi: Kosova është me fat që pati një mbrojtëse e mike të tillë si Albright

Kryetari i partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se me pikëllim të madh e ka marrë lajmin për vdekjen e mikes së madhe të shtetit të Kosovës, ish-Sekretares së SHBA-së, Madeleine Albright.

Krasniqi ka pohuar se “Albright ishte një personalitet i papërsëritshëm, simbol i diplomacisë amerikane në botë dhe i humanitetit e i lirisë për shqiptarët”.

“Ajo do të mbetet përherë e dashur në zemrën e secilit qytetar të Kosovës, për rolin e saj vendimtar në ndalimin e gjenocidit serb në vendin tonë. Ajo ishte e lidhur fort nga dashuria për Kosovën dhe këtë më së miri e tregon thënia e saj: Kosova më bën krenare më së shumti në gjithë karrierën time”, thotë ai.

Tutje, kreu i PDK-së, ka deklaruar se Kosova është me fat që pati një mbrojtëse e mike të tillë.

“Unë dhe Partia Demokratike e Kosovës bashkëndjejmë me dhembjen e popullit amerikan dhe të familjes së saj. Nderimet më të larta e të përjetshme për jetën dhe veprën e Madeleine Albright”, deklaroi ai.

Ndryshe, mikja e madhe e shqiptarëve, Madeleine Albright, ka vdekur në moshën 84-vjeçare.

Familja e saj ka bërë të ditur se Albright ka vdekur shkaku i kancerit dhe se në momentet e fundit ishte e rrethuar me anëtarët e familjes.

“Me zemër të thyer ju njoftojmë se Madeleine K. Albright, Sekretarja e 64-të e Shtetit dhe gruaja e parë që ka mbajtur atë postë, sot ka ndërruar jetë. Ajo kishte kancer”, shkruan në njoftimin e familjes në rrjetet sociale.

Related Articles