Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kujtuar viktimat e Masakrës së Reçakut ku humbën jetën 45 civilë.
Ai përmes një postimi në Facebook tha se kjo masakër i dha vulën barbarsisë së Millosheviqit dhe ngriti alarmin për nevojën e ndërhyrjes së NATO-s.
“Sot, me dhembje kujtojmë 45 fëmijë, gra e burra të fshatit Reçak, të cilët 23 vite më parë u masakruan pamëshirshëm nga policia dhe ushtria serbe. Masakra e Reçakut i dha vulë barbarisë dhe mizorisë së krimeve të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë dhe ngriti alarmin në mesin e shteteve perëndimore për nevojën e ndërhyrjes së forcave të NATO-s në vendin tonë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Krasniqi tha se në kujtesën kolektive të popullit të Kosovës, Reçaku është një ndër plagët më të dhimbshme, një histori e përgjakur që nuk harrohet kurrë.
“Liria jonë do të jetë e plotë, atëherë kur gjenocidi serb në Kosovë të marrë dënimin e merituar. Lavdi e përjetshme për martirët e masakrës së Reçakut”, ka shkruar tutje Krasniqi./Gazeta Enigma/