Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i shoqëruar nga Vlora Çitaku, ka vizituar sot Komunën e Shtimes ku është pritur nga kryetari i kësaj komune, Naim Ismajli.
Pas vizitës në komunë, Krasniqi ka vizituar Parkun Teknologjik të Zonës së Biznesit ku ka parë nga afër prodhimin që kryejnë disa ndërmarrës të suksesshëm në Shtime.
Pas vizitës që i bëri fabrikës së mobileve “Nica Swiss”, e cila tërë prodhimin e saj e ka për eksport në Zvicër dhe SHBA, kreu i PDK-së tha se është i lumtur që Shtimja është transformuar në një komunë të zhvillimit ekonomik.
Ai përgëzoi kryetarin e Shtimes, Naim Ismajlin për punët e panumërta që ka bërë në këto katër vite mandat, për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve.
“Kryetar të uroj, të përgëzoj dhe ju falënderoj të gjithëve për këtë punë të jashtëzakonshme. Jeni model dhe frymëzim për ne dhe për kolegët e tjerë që do të garojnë në zgjedhjet e tetorit për të marrë shembullin tuaj të punëve të mira që i keni bërë dhe për t’i replikuar edhe në komunat e tjera”, tha Krasniqi.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli tha se me suksesin e arritur në këtë zonë industriale, ai tashmë po bën të gjitha përgatitjet që deri në fund të këtij viti ta bëj gati për bizneset edhe një zonë të re industriale.
Ismajli ka ftuar të gjitha bizneset të cilat kanë nevojë për hapësira dhe mbështetje komunale të bëhen pjesë e zonës së re industriale.
Nga aty, Krasniqi e Ismajli kanë premtuar se PDK në mandatin e ardhshëm do të angazhohet në krijimin e zonave të tjera biznesore, për ta përmirësuar edhe më tej cilësinë e jetesës në Shtime.