Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, gjatë vizitës së tij në SHBA, është takuar me Zëvendësndihmësin e Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar, me të cilin tha se ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon.
Ai tha se në takim i ka shpalosur qëndrimin e partisë së tij në lidhje me dialogun me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, për të cilën tha se duhet të përfundojë me njohje reciproke.
“Z. Escobar i shpreha edhe një herë qëndrimin e vazhdueshëm të PDK-së në lidhje me procesin e dialogut me Serbinë dhe nevojën e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme, që përfshinë njohjen reciproke”, ka shkruar Krasniqi.
Ai tha se për Kosovën, rreshtimi dhe koordinimi me SHBA-të është i paalternativë në rrugën e integrimit dhe forcimit të shtetit tonë.
“Fuqizimi i raporteve bilaterale dhe strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve është i padiskutueshëm dhe i pandryshueshëm”.