Ish-ndihmëssekretari i Shtetit në administratën e Shteteve të Bashkuara gjatë viteve 1997-2000, James Rubin, edhe e ka vazhduar dëshminë para Gjykatës Speciale, shkruan Gazeta “Enigma”.
Rubin si dëshmitar është thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit, ku të hënën e 15 shtatorit dha dëshminë e tij për disa orë, ku foli rreth shumë çështjeve.
Sot para Prokurorisë, Rubin mes tjerash tha se “Nuk kam patur njohuri përpara Rambujesë për UÇK-së”.
“Kam marrë pjesë në takime me komandantë, është e mund që mund të kem qenë në afërsi të dhomës ku janë diskutuar gjërat”, tha ai.
Rubin foli edhe për formën se si SHBA-të e kishin konsideruar UÇK-në në fillim.
“Periudha 1996-97-98, personi që ishte ambasadori Gelbard ishte përgjegjës. U takua me njerëz të UÇK-së, në kohën kur ne i përshkruanim si persona që bënin aktivitete terroriste. Ndoshta ne shkelëm dëshirën tonë që të ishim në anën e engjëjve gjithmonë, ne fillimisht e përshkruanim si organizatë me aktivitete terroriste, dhe ne sigurisht me gjithë dëshirën që kishim të ishim në anën e engjëjve, nuk donim të mbështesnim njerëz që zhvillonin aktivitete terroriste. Ky qëndrim ndryshoi sidomos pasi UÇK-së u pajtua me marrëveshjen e Rambujesë”, tha Rubin.
“Më kujtohet se pse i dënuam veprimtaritë terroriste të UÇK-së por me kalimin e viteve e njohëm më mirë organizatën”, shtoi ai në deklarimin e tij në Hagë.
Tutje ai ka taksuar se “nuk më kujtohet nëse Krasniqi e Veseli ishin pjesë e delegacionit në Rambuje. Nuk më kujtohen të gjithë emrat, sepse kjo ka ndodhur para 25 vjetësh”.
“OKB-ja shpesh nuk e përshkruante mirë situatën në Kosovë”
“Kam lexuar një raport të OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik për atë raport. Sepse, organet e OKB-së nuk e kanë përshkruar shumë mirë situatën shumë shpesh. Pra, kam qenë në dijeni të raportimit prej OKB-së, por jo domosdoshmërisht ka qenë i besueshëm raporti”, tha ai.
“Të mbash 5 vite në paraburgim një burrështetas nuk është drejtësi”
“Më shqetëson që dikush të jetë i paraburgosur për 5 vite para se të ndjeket penalisht. Mendoj që këta persona janë dorëzur vullneatarisht dhe kanë qenë bashkëpunues me gjykatën. Unë për veten nuk e shikoj këtë si sundim të ligjit. Z.Albright nuk ka pasur në mendje këtë lloj drejtësie”, theksoi ai para Prokurorisë.
“Mua kjo më është dukur si fajësim politik, për shkak se Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës i UÇK-së”.
Ai foli për rolin e UÇK-së, të cilin tha se e ka parë nga afër “për tre ditë” sa ishte në male.
“Duke qenë se i kam parë nga afër liderët e UÇK-së dhe mendoj që asnjë person tjetër s’e ka pasur këtë mundësi. Kam pa se si janë sjellë ata, kush ishte komandanti, kush ishte mbështetës dhe duke e pasur këtë njohuri unë mendoj që kjo është e gabuar. Kjo nuk është drejtësi. Unë nuk jam jurist por kam të drejtë ta them mendimin tim”.
“Autori i shkrimit për vrasjen e rivalëve të Thaçit ka shkruar fjali të rreme”
“Autori i këtij artikulli, në mënyrë të vazhdueshme, ka shkruar fjali që kanë qenë të rreme”, tha ai.
Ish-zyrtari i lartë i SHBA-së, James Rubin, ka folur për diskutimet në administratën amerikane të Bill Clintonit për armatosjen e UÇK-së.
Ai ka thënë se nuk kanë mundur t’iu thoshin luftëtarëve që “nuk ju japim armë, sepse ju nuk jeni të organizuar”.
“Po bënim një gjykim sa i përket argumentit për armatosjen apo jo të UÇK-së. Dhe, ne kemi thënë se kjo nuk është ide e mirë, sipas nesh, sepse nuk ekziston një strukturë e mirëfilltë politike, ose nuk ka kontroll efektiv”.
“Bëmë gjykimin tonë më të mirë, kemi bërë një vlerësim, duke marrë parasysh strukturën organizative të UÇK-së, duke marrë parasysh aspektin e kontrollit dhe komandës, që ne besonim që UÇK-ja nuk e kishte”.
“Nuk kishte kontroll dhe komandë efektive në UÇK”, theksoi ai.
Telefonata me Albright, Rubin: Demaçi tha ose pavarësi, ose le të vdesim
Rubin ka rrëfyer bisedën telefonike në mes të Adem Demaçit, atë botë përfaqësues politik i UÇK-së, me ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, në lidhje me Marrëveshjen e Rambujes.
“Albright thirri në telefon Demaçin. Kam qenë aty. Më kujtohet shumë mirë që na u duk sikur ishte një person që kishte autoritet, jo autoritet fizik apo vertikal, por ideologjik. Dhe se Hashim Thaçi mendonte se kishte nevojë për nevojë për një person si Adem Demaçi që ta ndihmonte ta shtynte pak çështjen e pavarësisë, prandaj ka thënë autonomi, jo pavarësi. Ai nuk ka thënë ne nuk duam pavarësi, por jo tani, jo në këto momente. Dhe ai donte të tregonte që çështjen e pavarësisë mund ta diskutojmë pak ma vonë”, tha Rubin.
“Demaçi thoshte o pavarësi, o le të vdesim”, shtoi ai.
“Thaçit i kam besuar gjithnjë, sepse fjalët i përkthente në veprime”
Ai ka bërë me dije se besimin ndaj Thaçit e kishte ndërtuar në vazhdimësi. Sipas tij, Thaçi fjalët i përkthente në veprime.
“Besoj se ai donte marrëveshje, besoj se donte demokraci, edhe pse fliste me gjuhë komuniste në atë kohë. Ishte me përkthim, e vështirë të bëhet vlerësim i saktë. Bashkëjetesës, e di që shqiptarët e Kosovës kishin jetuar në regjim shtypës për dekada të tëra, me mijëra ishin vrarë, e dija që ai po thoshte atë që ne donim të dëgjonim që ishte gjë e mirë. A e besova këtë? I kam besuar gjithnjë me kalimin e viteve, sepse ai tregoi që fjalët që thoshte i përkthente në veprime. Edhe pse nuk kam dyshuar, u binda gjithnjë e më shumë për sinqeritetin e deklaratave të tija me kalimin e kohës”, ka thënë Rubin.
“Marrëveshja e Rambujes”
“Disa persona mendonin se nuk ishte lëvizja e duhur, por Sekretarja Albright mendonte që ishte lëvizja e duhur dhe Presidenti Clinton mendonte të njëjtën gjë. Ne ua mbushëm mendjen europianëve që kjo ishte lëvizja më e duhur dhe u thamë që sigurisht, ne do të ndërmarrim një lëvizje dramatike, por njëkohësisht ne do të jemi edhe diplomatë”, tha ai.
Rubin tregoi se cilat ishin paralajmërimet e SHBA-së për shqiptarët dhe serbët në rast të mosnënshkrimit të marrëveshjes.
“U thamë të dyja palëve: kjo është marrëveshja dhe në rastin e forcave serbe, iu thamë, në qoftë se nuk e pranoni marrëveshjen, ju do të sulmoheni nga ajri. Ndërsa palës shqiptare i thamë: pajtohuni me këtë marrëveshje, ose nuk do të keni më përkrahjen tonë”.
“Ishte e qartë se Thaçi kishte eprorë”
James Rubin gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se Hashim Thaçi “nuk i ka thënë asnjëherë se çfarë duhet të bënte apo se me kë duhej të konsultohej”.
“Thaçin e njoha në Rambuje dhe ai nuk ishte i hapur me mua, e as unë më. Ai nuk më tregonte çfarë duhet të bënte dhe pse i bënte”, tha Rubin.
Ai theksoi se për të ishte “e qartë” se Thaçi kishte “eprorë diku nga të cilët duhej të merrte miratimin”.
“Britanikët dhe NATO kërkuan që marrëveshja e demilitarizimit të nënshkruhej nga Thaçi”
“Dokumenti ishte përgatitur që të nënshkruhej prej një personi tjetër. Ka qenë një dokument që është përgatitur për dikë tjetër përpara se të vija unë dhe Thaçi atje. Britanikët dhe NATO thanë që jo, duhej ta firmoste Thaçi. Mua ma merr mendja se këtë do ta nënshkruante Agim Çeku”, tha ai.
“Hill e përshkruante UÇK-në sikur ata të ishin “rrugaçë””
Rubin tha se Hill e përshkruante UÇK-në sikur ata të ishin “rrugaçë”, ndërkohë shton se formulime të tilla nga ai, kanë pasur edhe personalitete të tjera. Këto formulime nga Hill, Rubin i konsideron si të papranueshme.
”Ndërkohë që po bëni pyetjen shikoj që autori i kësaj kabllodrame është Christopher Hill, më duhet të them që kjo është një kabllogram tipike që shkruante Christopher Hilli që ishte ish-ambasador i Maqedonisë, ish-Jugosllavisë dhe Republikës së Maqedonisë. Pra përshkrimi që bënte zoti Chris për UÇK-në ishte sikur ata ishin rrugaçë. Ai përdorte fjalë të tillë për t’i përshkruar në këtë lloj forme”, tha ai.
“Unë kur kam udhëtuar me zotin Hill dhe personalitete të tjera larta kam dëgjuar formulime të tilla, dhe për shembull kam dëgjuar komente që reflektonin siç duhet, komente që reflektonin siç duhet zhvillimet e UÇK-së, por Christopher Hill përdorte formulimet ndër më të papranueshmet e mundshme”, deklaroi Rubin.
Ai ishte i gatshëm ta përfundojë sot dëshminë, gjyqtari i Speciales i kërkon të kthehet edhe nesër. /Gazeta Enigma/