Libri ndryshon mendjen dhe mendja ndryshon botën.
Rruga e dijes është e gjatë dhe e vështirë, por ajo bëhet e bukur kur ke bashkëudhëtar një mik të mire e besnik, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Me rastin e kremtimit të 50-vjetorit të lindjes së Migjenit (Millosh Gjergj Nikolla) në vitin 1961, nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve u vendos që muaji tetor të shpallet Muaji i Letërsisë Shqipe.
Është muaji i lindjes së Migjenit; është muaji i vdekjes së Naim Frashërit; është muaji i lindjes së Gjergj Fishtës; është muaji i lindjes së Dritëro Agollit. Katër shkrimtarë që renditen në pendën e artë të letërsisë shqipe.
Migjeni, lindi në Shkodër më 13 tetor 1911 në një komunitet me rreth 100 familje të një feje të tretë: Ortodokse. Shkodra ishte qyteti me tri fe. Tingujt e këmbanave dhe zërat e hoxhallarëve alternoheshin njëra me tjetrën. Kjo mesa duket ndikoi në krijimtarinë e tij si dezertor i fesë.
Migjeni dhe letërsia shqipe
Migjeni është i pari në letërsinë shqipe që përshkroi nëpërmjet artit të fjalës gjendjen e dhimbshme të malësorit.
Në asnjë krijim letrar nuk është realizuar para ardhjes së Migjenit çmitizimi i perëndisë nga pakujdesja e shtetit dhe mitizimi i misrit nga urija, që kishte pllakosur malësinë: “Në shekullin e njëzetë s’ka apoteoza perëndish, por ka apoteoza misri. Bjeshkët tona, që dikur qenë lterët e apoteozave perëndish, sot janë lterët e apoteozës së misrit”.
Migjeni me talentin e tij është i pari në letërsinë shqipe që solli edhe një vizion të ri në pasqyrimin e realitetit. Në “Legjenda e misrit” në 50 rreshta me një fjalor të pasur realizon disa pamje madhështore dhe njëkohësisht të mjerë të realitetit të kohës.
Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe është një sfidë e re ndaj mendësisë shqiptare, që lëvizte dhe jetonte në male me kanunet, mitet, që kishin zënë shtresë shekull pas shekulli. Idetë përparimtare të kohës thyenin kokën në “malin që s’bëzan”, në malin që para krijimtarisë së Migjenit ishte simbol i qëndresës, gjuhës, krenarisë dhe një mit i paprekshëm. Migjeni shkruan:
O, si nuk kam një grusht të fort,
t’i bij m’u në zemër malit që s’bëzanë!
Mali hesht –dhe unë në heshtje qesh.
E unë vuej –dhe në vuejtje vdes.
Muaji Tetor! Çfarë rastësie!
Tetori përmbledh si kujtesë historike Naim Frashërin që i përket shekullit XIX; shekullit të Rilindjes Kombëtare.
Migjenin dhe Fishtën që përkasin periudhës së Pavarësisë të Shqipërisë (1912-1939). Dritëro Agollin që i përket periudhës së komunizmit 1944-1990 dhe periudhës së demokracisë 1991.
Muaji tetor përkon dhe me data të tjera të shënuara të gjigandëve të letrave shqip.
Secili nga këta shkimtarë vendosi një gur të çmuar në letërsinë shqipe./Gazeta Enigma/