Kritikat ndaj masave të reja antiCOVID, MSH-ja del me një njoftim të rëndësishëm për qytetarët

Kritikat ndaj masave të reja antiCOVID, MSH-ja del me një njoftim të rëndësishëm për qytetarët

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar ndaj kritikave që ka marrë si rrjedhojë e vendimit të masave të reja antiCOVID, më konkretisht për posedimin e dëshmisë së dozës së tretë.

MSh-ja thotë se qytetarët mund të hyjnë në Kosovë edhe me dy doza të vaksinës, por duhet ta kenë dëshminë e testit PCR negativ.

“Vendimi nuk kërkon domosdoshmerisht dëshminë e vaksinimit me tri doza të vaksinës për të hyrë në Kosovë, duke pasur gjithashtu mundësinë e hyrjes me dy doza bashkë me praninë e testit negativ RT PCR jo më të vjetër se 48 orë, rregull qe është praktikuar edhe nga shtete te tjera”, thuhet në reagimin e MSh-së.

Ndër të tjera, MSH-ja ka bërë të ditur se gjatë javës do të përcillet situata epidemiologjike, dhe varësisht nga numri i rasteve, masat do të mund të rishikohen.

 “Të gjitha masat e ndërmarra kanë qenë rezultat i analizës së rregullt të situatës epidemiologjike në vend, konsultimeve me profesionistët shëndetësor dhe Komisionin këshill-dhënës lidhur me COVID-19, të cilat janë trajtuar në Komitetin për koordinim dhe vlerësim lidhur me COVID-19, ku përfaqësohen institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatës me COVID-19”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre me këtë vendim parashihet lehtësim për qytetarët që janë vaksinuar me tri doza të vaksinës anti-COVID.

“Vendimi parasheh lehtësim për ata me tri doza të vaksinës, për shkak të rrezikut dukshem më të ulët për t’u infektuar, derisa shtetasit e Republikës së Kosovës mund të hyjnë në vend duke qenë të vaksinuar vetëm me dy doza, pa pasur nevojën e prezantimit të testit negativ RT PCR, dhe po ashtu edhe nëse nuk i kanë dy doza të vaksinës, por duke iu nënshtruar karantinimit shtëpiak për një periudhë prej shtatë ditësh që nga hyrja në territorin e Republikës së Kosovës”, deklaron MSh-ja. /Gazeta Enigma/.

Ndryshe, vendimi i Qeverisë së Kosovës që të gjithë qytetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës të kenë certifikatën e vaksinimit me tri doza, ka ngjallur reagime të shumta.

Qytetarët e Kukësit sot kanë protestuar në afërsi të pikë kalimit kufitar në Morinë, për ta kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës. /Gazeta Enigma/.

Related Articles