Dy ditë para fillimit të pushtimit të Ukrainës, Qendra Teknike Aeronautike nga Velika Gorica e Kroacisë i shiti Rusisë motorë për helikopterë ushtarakë, ka shkruar portali “klix”.
Ndërkohë, dërgesa e fundit është pezulluar dhe prokuroria kompetente po e heton këtë marrëveshje miliona dollarëshe.
Televizioni kroat “Nova TV” zbuloi sot se kompania shtetërore ka negociuar me Rusinë katër muaj më parë për shitjen e motorëve për helikopterët ushtarakë. Është rënë dakord shitja e 22 motorëve, por dërgesa e fundit është pezulluar për shkak të luftës.
Marrëveshja vlen pak më shumë se tre milionë euro.
Nga Prokuroria e shtetit e Kroacisë kanë konfirmuar se janë duke e hetuar rastin, por meqë “hetimet janë në vazhdim, nuk mund të japim më shumë informacion”.
Nënshkruesi i marrëveshjes është Zdravko Klanac, drejtor i qendrës, një kompani shtetërore, por ai nuk ka dashur të flasë shumë për mediat kroate. Ai nuk ka treguar se nga kush dhe për çfarë qëllimi do të përdorën motorët e shitur. Sipas tij, është sekret biznesi.
Disa motorë u dërguan vetëm dy ditë para fillimit të pushtimit të Ukrainës, që ishte ngarkesa e dytë. Ngarkesa e parë e motorëve u dërgua menjëherë pas nënshkrimit të kontratës.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Bota perëndimore e ka dënuar e sanksionuar këtë veprim të Moskës zyrtare, duke i vënë Rusisë një mori sanksionesh. Në këto sanksione ndaj Rusisë, është përfshirë edhe Kroacia.