Ministri i Jashtëm çek Jan Lipavsky, po qëndron në Beograd për një vizitë zyrtare.
Ai tha sot se Republika Çeke mbështet vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve dhe se çelësi për gjetjen e një zgjidhjeje është angazhimi konstruktiv dhe i përgjegjshëm i të dyja palëve.
Situata në Kosovë dhe marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit ndikojnë në sigurinë e të gjithë rajonit, tha ministri çek dhe tha se pret normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “sepse ky është kusht kyç për integrimin e të dy vendeve në BE”.
“Nuk është e mundur të anashkalohen disa çështje të ndjeshme siç është dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të cilin Republika Çeke e mbështet. Besoj se do të jetë e mundur të normalizohen marrëdhëniet në mënyrë që të përmirësohen kushtet e jetesës së qytetarëve dhe garantojnë sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, tha Lipavski.
Ministri i Jashtëm çek Jan Lipavsky u takua më 11 tetor në Beograd me presidentin serb Alleksandar Vuçiq, kryeministrin Millosh Vuçeviq dhe ministrin e jashtëm të këtij vendi, Marko Gjuriq.
Vuçiq, siç ka njoftuar në Instagram, ka falënderuar Republikën Çeke për mbështetjen e saj për integrimin evropian të Serbisë dhe “shpreh shpresën se edhe vendet e tjera anëtare do ta njohin përparimin e Serbisë dhe do të na mundësojnë të ndërmarrim hapa të rinj drejt anëtarësimit të plotë”.
Ai shtoi se Lipavskyt i ka përcjellë “shqetësimin për pozitën e serbëve” në Kosovë dhe ka kërkuar mbështetjen dhe angazhimin e shtuar të Pragës dhe kryeqyteteve të tjera evropiane, “për të mbrojtur sigurinë dhe të drejtat e popullatës serbe”.