Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti në takim Drejtorin e Njësisë së Adriatikut dhe Ballkanit në Ministrinë për Punë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të Republikës së Italisë, Andrea Cascone dhe ambasadorin italian në Kosovë, Nicola Orlando.
Kryekuvendari Konjufca, pasi i njoftoi mysafirët lidhur me prioritetet e Legjislaturës VIII të Kuvendit, shprehu falënderime për kontributin e çmuar që shteti i Italisë ka dhënë për Republikën e Kosovës në të gjitha proceset e saj shtetformuese, veçmas proceset e integrimit evropian të Kosovës, si dhe për ndihmën në luftën kundër pandemisë COVID-19.
Nga ana e tij, Cascone i vlerësoi si shumë të dobishme marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin në baza të vazhdueshme në mes të dy vendeve. Ai po ashtu konfirmoi gatishmërinë e Republikës së Italisë për t’i ndihmuar institucionet e vendit tonë në politikat rajonale, proceset integruese dhe adresimin e sfidave të përbashkëta, siç është edhe përballja me pandeminë.
Gjithnjë në frymën e intensifikimit të marrëdhënieve në mes të dy shteteve, u shtrua nevoja e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit në proceset e përbashkëta evropiane./Gazeta Enigma/