Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka thënë se ekzistojnë fakte se Rusia po planifikon luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945.
Johnson në një intervistë për BBC-në ka thënë se gjitha shenjat janë se plani ka nisur tashmë në disa aspekte.
Ai thotë se në raportet e inteligjencës sugjerohet se Rusia planifikon të nisë pushtimin, duke e rrethuar kryeqendrën e Ukrainës, Kievin.
“Njerëzit duhet të kuptojnë koston e madhe në jetën e njerëzve që mund të sjellë kjo”, ka thënë Johnson.
Ai ka folur nga Mynihu, ku liderët botërorë po takohen në konferencën vjetore të sigurisë.
Në të dhënat e fundit të Qeverisë së SHBA-së thuhet se rreth 190 mijë trupa ruse janë vendosur përgjatë kufirit me Ukrainën, si në Rusi ashtu edhe në Bjellorusi. Në këtë shifër përfshihen edhe rebelët në lindje të Ukrainës.
Johnson tha se nëse ndodh pushtimi, atëherë Britania e Madhe do të vendoste sanksione të gjëra kundër Rusisë.
Ai tha se Britania e Madhe dhe SHBA-ja do të ndalojnë kompanitë ruse të bëjnë “tregti në funte dhe dollarë” – një lëvizje që thotë se do të “godiste shumë” kompanitë.
Më herët është thënë se do të ketë gamë të gjerë të sanksioneve ndaj njerëzve dhe bizneseve ruse.