Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, tha dje në Sofje se ngjarjet në Ukrainë janë “krizë e demokracisë në të gjithë botën” dhe refugjatët nga ai vend i quajti emigrantë.
“Gjithçka që po ndodh është një krizë e demokracisë në të gjithë botën dhe kjo krizë na prek më së shumti në aspektin e ushqimeve bazë”, tha kryeministri në mandatin teknik, i cili kryesonte një delegacion pjesëmarrës në takimin e kryeministrave të NATO-s në Evropën Juglindore në Sofje.
Sipas Qeverisë, ai u takua edhe me zyrtarë të lartë bullgarë dhe tema e takimit ishte implikimi i krizës në Ukrainë dhe përhapja e saj në Ballkanin Perëndimor “përmes krizës ushqimore dhe krizës energjetike, si dhe e lidhjes së rajonit duke ndërtuar infrastrukturë të re strategjike transporti.
“Kriza e shkatërrimit në Ukrainë na kujtoi gjithçka që kemi kaluar disa herë në historinë tonë,” tha Krivokapiq.
Siç u njoftua nga kabineti i tij, ai iu referua krizës së emigrantëve, e cila, siç tha, ka prekur proporcionalisht Malin e Zi, por edhe vendet fqinje të Ukrainës.
“Çdo krizë është një mundësi dhe ne kemi potencial të madh për zhvillimin e projekteve strategjike të infrastrukturës. Porti i Tivarit mund të destinohet për transportin e gazit të lëngshëm, i cili mund të jetë një potencial për lidhje të mëtejshme në rajon”, shpjegoi ai.
Ai vuri në dukje sfidën kur bëhet fjalë për lajmet e rreme dhe propagandën, dhe sugjeroi krijimin e një qendre të fortë, të përbashkët që do të merrej me përpunimin dhe hetimin e informacionit të rremë në bazë të inteligjencës artificiale.
Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Predrag Boshkoviq, tha në një deklaratë se Krivokapiq “u endë” në një takim në Sofje.
“Sanksionet kundër Rusisë nuk janë plotësisht të koordinuara me partnerët tanë ndërkombëtarë, Mali i Zi nuk dërgoi njësitë e tij të ushtrisë në forcat e NATO-s për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, kështu që do të ishte interesante të dihej se me çfarë dyshimi e shihnin pjesëmarrësit e tjerë Krivokapiq”, deklaroi Boskoviq.
Qeveria e atjeshme nuk ka marrë ende një vendim që konfirmon qëndrimin e Bashkimit Evropian për sanksionet kundër Rusisë.