Kryeprokurori Smith: Ka njerëz në Kosovë që do të bënin gjithçka për ta dëmtuar Gjykatën Speciale

Kryeprokurori Smith: Ka njerëz në Kosovë që do të bënin gjithçka për ta dëmtuar Gjykatën Speciale

Kreu i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Jack Smith, gjatë seancës së Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, ka thënë se ka njerëz në Kosovë që do të bënin gjithçka për ta dëmtuar Gjykatën Speciale.

Sipas tij këta njerëz po orvaten për të shpëtuar idenë se asnjë ushtar i UÇK-së nuk ka kryer krime në luftën e fundit në Kosovë.

“Ekziston një grup i vogël po i fuqishëm i njerëzve në Kosovë të cilët nuk e duan ekzistencën e kësaj gjykate dhe të cilët do të bëjnë gjithçka për ta dëmtuar. Por, pa pasur sukses në orvatjen e tyre për ta shpëtuar idenë e rreme se asnjë ushtar i UÇK-së nuk ka kryer krime gjatë luftës së fundit”, tha ai.

Ai ka shtuar se faktet që do të prezantohen nga kjo gjykatë do të dëshmojnë të kundërtën.

“Siç e dinë mirë ata që janë kundër kësaj gjykate çështjet e paraqitura nga zyra që unë delegoj dhe faktet që do dalin në dritë në gjyqet e zhvilluara në këtë sallë nuk mund të lënë asnjë dyshim se kjo ide nuk është e vërtetë”

“Por, kjo ide e rreme është aq e rëndësishme saqë disa udhëheqës të caktuar të UÇK-së do të bëjnë çmos, gjithçka që të bëjnë daljen në dritë të informacioneve që tregon se kjo është e vërtetë”, shtoi ai.

Ai ka thënë se Hysni Gucati dhe Nasim Haradniaj bëjnë pjesë në këtë grup.

“Këta të akuzuar janë pjesë e këtij grupi dhe duan që kjo gjykatë të çmontohet në çdo mënyrë. Zotëri Gucati dhe zotëri Haradinaj janë kundërshtarë të zëshëm të këtij institucioni duke denigruar këdo që do ta njihte apo do të bashkëpunonte me Dhomat e Specializuara të Kosovës apo me Zyrën e Prokurorit të Specializuar si spiun edhe tradhtarë që kanë tradhtuar bashkatdhetarët”, tha Smith.

Related Articles