Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka vizituar stadiumin e KF Beharit në Vitoromicë të Pejës, stadium në të cilin ka investuar FFK-ja.
Ademi është shprehur i lumtur që FFK-ja po investon në fusha të reja për t’i dhënë mundësi grupmoshave të reja që ta vazhdojnë ëndërrojnë e tyre për t’u bërë futbollist profesional.
“Sot e pata kënaqësinë që të jem i pranishëm në stërvitjen e grupmoshës nën 11-vjeç të KF “Behar” nga Vitomirica, në stadiumin e ri tashmë të përfunduar. Fusha cilësore dhe kushtet e krijuara janë vlerësuar jashtëzakonisht shumë nga të gjithë në klub, pasi tashmë fëmijët e kësaj ane mund ta zhvillojnë talentin e tyre me të gjitha pajisjet, pa iu munguar asgjë”, ka shkruar Agim Ademi.
“Jam i lumtur që FFK mund të bëjë, ka bërë dhe do të bëjë edhe në të ardhmen terrene të këtilla për të gjitha klubet dhe për të gjitha komunitetet, pasi fushat e tilla janë shumë të nevojshme për masivizimin e futbollit dhe zhvillimin e talenteve”, ka shkruar i pari i FFK-së.
Agim Ademi ka falënderuar komunat dhe MKRS-në për bashkëpunimin që janë duke e bërë për ta zhvilluar futbollin në Kosovë.
“I falënderoj edhe komunat dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për projektet e tilla të përbashkëta, pasi terrene të tilla do të realizojmë në të gjitha trevat e Kosovës, derisa vendi ynë të jetë i përmbushur me nevoja të fushave stërvitore dhe të stadiumeve për lojë”, ka shkruar Ademi./GAZETA ENIGMA/