Kryetari i Zubin Potokut thotë se s’ka vullnet të qytetarëve serbë për inicim të peticionit

Kryetari i Zubin Potokut thotë se s’ka vullnet të qytetarëve serbë për inicim të peticionit

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri ka deklaruar se nuk sheh vullnet dhe interesim të qytetarëve serbë për inicim të peticionit për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore.

Zeqiri madje tha se nuk sheh as ndonjë parakusht për mbajtje të zgjedhjeve, në mënyrë që të njëjtat të dalin të suksesshme.

“Jo, jo as nuk shoh vullnet për ndonjë peticion, po as nuk shoh vullnet që të futemi në një palë zgjedhje të tanishme. Do të thotë këtu nuk është, pra për mu nuk shoh ndonjë parakusht që mund të futemi në ndonjë palë zgjedhje  dhe të dalin të suksesshme, për shkaqe se shumica i refuzon. Do të thotë nuk don t’i bindet në këtë rast asnjë organizmi ligjërisht që është nga ana e Republikës së Kosovë, qoftë për zgjedhje të tashme apo të më vonshme. Njëherë për njëherë nuk shoh vullnet qytetar të shumicës serbe në këtë drejtim”, tha ai në Tëvë1.

Kurse i pyetur se a e ka lexuar udhëzimin administrativ dhe formën për largimin e kryetarëve, Zeqiri tha se nuk e ka lexuar në detaje, pasi ai tha se përafërsisht e kupton tashmë se deri ku mund të shkohet me këtë udhëzim.

“Pak, nuk kam lexu në detaje të themi kështu meqenëse sa i përket udhëzimit është një shtesë, kurse ne e kemi si me thënë dihet ligji, mirëpo don edhe pak kohë dhe iniciativa qytetare. Të gjitha këto marrin kohë, kështu që nuk më ka interesu shumë me lexu rreth këtij udhëzimi meqenëse unë përafërsisht po e kuptoj deri ku mund të shkohet me këtë udhëzim”, shtoi Zeqiri.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ellbert Krasniqi deklaroi se Qeveria dhe Ministria të cilën e udhëheq ai, i kanë kryer të gjitha obligimet ligjore që u mundësojnë qytetarëve në katër komunat veriore të nisin peticionin për të larguar kryetarët aktual.

Related Articles