Kryeziu: Kushtetuta e Kosovës më e avancuara në Evropën Juglindore

Kryeziu: Kushtetuta e Kosovës më e avancuara në Evropën Juglindore

Profesori i të drejtës kushtetuese, Kadri Kryeziu, thotë se Kushtetuta e Kosovës është më e avancuara në Evropën Juglindore. Në ditën e aktit më të lartë politik dhe juridik të shtetit, Kryeziu, i cili është edhe njëri nga hartuesit e Kushtetutës, thekson se ky dokument është hartuar për të qenë jetëgjatë në Kosovë. Sipas tij, vakumi kryesor në Kushtetutë është kur nuk mund të arrihen qëllimet e shumicës, për shkak të kompromiseve që janë bërë për komunitetin serb dhe votën e dyfishtë në Kuvendin e Kosovës.

Ish gjyqtari në Kushtetuese, në një intervistë për KosovaPress, akuzon edhe qeverinë Kurti se përmes ligjeve disa herë ka pasur tendencë për të shkelur Kushtetutën.

“Duke përgatitur shpalljen e pavarësisë kemi punuar në hartimin e Kushtetutës së Kosovës, e cila bazament ka qenë Pakoja e Ahtisarit. Kjo Kushtetutë hyn në kuadër të kushtetutave të kushtëzuara ose të ndikuara. Faktikisht Kushtetuta duhet me qenë referendare ose me referendum me vullnetin e plotë të popullit. Kushtetuta jonë ka kaluar në parlament nga përfaqësuesit e popullit… Kushtetuta e Kosovës në krahasim me 11 kushtetuta të Evropës Juglindore është njëra prej Kushtetutave më demokratike në Evropë, në kuptimin e normës kushtetuese. Është një kushtetutë ku gjejnë shprehje minoritetet në të gjitha fushat në aspektin e së drejtave. Qofshin ato në të drejtat njerëzore, fetare, kulturore dhe trashëgimore. Bazamentin kjo kushtetutë e ka në Pakon e Ahtisarit, quhet kushtetutë me elementë të jashtëm. Aty është favorizuar kryesisht minoriteti serb i cili ka qenë një kompromis për Pavarësinë e Kosovës. Kushtetuta ka vakume ende, për shkak se ndonjëherë nuk mund të arrijmë qëllimet e shumicës, pasi votimi bëhet në bazë të sistemit të Banditerit, që nënkupton dy të tretat plus dy të tretat e minoriteteve që në ligjet vitale duhet t’i kemi edhe votat e dyfishta të minoriteteve në parlament”, thotë Kryeziu.

Sipas tij, s’ka ndonjë mekanizëm të veçantë për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por thotë se në bazë të nenit 116 të Kushtetutës, autoritetet që nuk i zbatojnë vendimet kryejnë vepër penale, transmeton Klankosova.tv.

Duke folur për numrin e projektligjeve që Gjykata Kushtetuese i ka rrëzuar gjatë qeverisjes Kurti, Kryeziu kërkon kujdes më të madh në hartimin e tyre.Sa i përket rrezikut që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive dhe mbi Kushtetutën e vendit, Kryeziu thotë se asnjë dispozitë e tillë nuk mund të kalojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Asociacioni i komunave serbe mund të krijohet në bazë të marrëveshjes së vitit 2013. Marrëveshja e vitit 2013 e përshkruan edhe statutin, këto veprime të tjera kanë qenë shumë politike, të cilat qeveria ka pasur për detyrë të hartojë një projekt-statut vet. Duke marrë parasysh se nuk e ka hartuar atëherë faktori ndërkombëtar e ka marrë përsipër. Ky projekt-statut është konglomerat i disa projekt-statuteve… Ka disa elemente, është i paqartë 1244, pastaj është arbitrazhi që është një element që i tejkalon institucionet tona. Unë besoj si profesor i të drejtës kushtetuese se këto dispozita nuk mund të kalojnë në Gjykatën Kushtetuese”, përfundon Kryeziu.

Kushtetuta e Kosovës është miratuar më 9 prill të vitit 2008, dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Related Articles