Neymari u pa thuajse krejtësisht i shëruar nga lëndimi i nyjës së këmbës dhe pritet t’i kthehet formacionit titullar të Brazilit kundër Koresë së Jugut, në një të tetën e finales në Kupën e Botës. Ndeshja Brazili – Koreja e Jugut luhet të hënën nga ora 20:00.
Neymari i buzëqeshur, stërviti me bashkëlojtarët të dielën në një seancë pjesërisht të hapur për media. Ai nuk kishte problem me lëndimin, që e la jashtë formacionit të Brazilit në dy ndeshjet e kaluara.
Përzgjedhësi Tite tha më herët se Neymari do të luajë nëse gjithçka shkon mirë në seancën e fundit stërvitore për ndeshjen ndaj Koresë së Jugut.
Sulmuesi i Brazilit mungoi në dy ndeshje të fazës grupore pas lëndimit në nyjën e këmbës së djathtë që e mori në fitoren ndaj Serbisë. Ai u kthye në stërvitje për herën e parë të shtunën.
Tite ka thënë se ka planifikuar ta përdorë Neymarin nga fillimi dhe jo si zëvendësues, nëse ai është i gatshëm për lojë.
“Preferoj të luaj me lojtarët më të mirë nga fillimi”, tha Tite. “Është trajneri ai i cili i merr vendimet dhe merr përgjegjësi për ato”.
Tite ka thënë se mbrojtësi i krahut të majtë, Alex Sandro, është jashtë për shkak të lëndimit në ijë. Por mbrojtësi i krahut të djathtë, Danilo, do të jetë i gatshëm për lojë pasi është rikuperuar nga lëndimi i nyjës së këmbës së djathtë.
Brazili ka ndier mungesën e organizatorit. Megjithatë, e fitoi grupin, pavarësisht disfatës nga Kameruni në ndeshjen e fundit.
“Qartë se nuk mund të themi se është më mirë të luajmë me Brazilin kur Neymari paraqitet. Por gjithmonë preferoj kur lojtarët më të mirë janë aty”, ka thënë përzgjedhësi i Koresë së Jugut, Paulo Bento.
Koreja e Jugut avancoi pas fitores befasuese ndaj Portugalisë në ndeshjen e fundit të grupit, duke u paraqitur në një të tetën e finales në Botëror për herë të parë në 12 vjet.
Testet pas ndeshjes me Serbinë treguan dëmtim në nyjën e këmbës së Neymarit dhe nuk ishte e qartë nëse do të luante më në Katar. Nyja e tij dukej keq, me shumë ënjtje, dhe mjekët nuk thanë nëse ai do të rikuperohej në kohë për turne.
Por, pasi shkoi me tretman intensiv fizioterapeutik, Neymari u përmirësua dhe u kthye në stërvitje të shtunën. Në një pamje të publikuar nga Federata e Futbollit e Brazilit, ai u shfaq me formë të mirë, duke dribluar me top dhe duke gjuajtur në portë pa asnjë shenjë lëndimi.
Mesfushori Fred e zëvendësoi Neymarin kundër Zvicrës. Me Brazilin që siguroi kalimin nga faza nokaut, Tite bëri rotacion të gjithë skuadrës kundër Kamerunit.
Kjo do të jetë hera e parë që Brazili dhe Koreja e Jugut takohen në një ndeshje zyrtare. Brazilianët kanë fituar gjashtë nga shtatë miqësoret, përfshirë atë 5:1 në qershor. Koreja e Jugut ka fituar vetëm një herë në vitin 1999.
“Nuk mund të mendojmë se do të jetë ndeshje e lehtë, ashtu siç ishin miqësoret”, ka thënë kapiteni i Brazilit, Thiago Silva. “Tani është Kupa e Botës dhe koreanët kanë kaluar tutje nga një grup i vështirë. Ne kemi shumë respekt për ta”.
Koreja e Jugut avancoi në fazën nokaut falë golit dramatik në kohën shtesë nga Hwang Hee-chan, në fitoren 2:1 kundër Portugalisë. Skuadra kishte barazuar me Uruguain në ndeshjen hapëse dhe më pas u mposht nga Gana.
Hwang pritet të jetë sërish titullar në formacionin kundër Brazilit, pasi mungoi në dy duelet e para të skuadrës për shkak të zgjatjes së muskulit.
Bento është ankuar se ka pasur vetëm periudhë treditore të pushimit ndërmjet ndeshjeve të fazës grupore dhe një të tetës së finales, duke thënë se kjo më shumë e dëmton Korenë e Jugut sesa Brazilin, që i ka pushuar shumicën e lojtarëve titullarë në ndeshjen e fundit të grupit.
“Nuk është e drejtë”, tha Bento. “Mendoj se ka të bëjë me realitetin e ri të FIFA-s, që krijon kushte më të rënda për skuadrat më pak favorite dhe ndoshta kushte më të mira për skuadrat favorite”.
Koreja e Jugut po shpreson ta kalojë fazën e një të tetës së finales për herë të parë që nga marshimi historik si bashkënikoqire në vitin 2002, kur shkoi deri në gjysmëfinale dhe përfundoi garën në vendin e katërt. Jugkoreanët u eliminuan në fazën grupore në vitin 2014 dhe 2018.
Brazili shpreson ta fitojë titullin e parë të Kupës së Botës që prej turneut të vitit 2002 në Japoni dhe Kore të Jugut. “Selecao” ka shkuar në çerekfinale të secilit turne prej atij viti, ndërsa gjysmëfinalja në vitin 2014 ishte suksesi më i madh.
Fituesi i këtij dueli do të luajë në çerekfinale kundër Japonisë apo finalistes së Botërorit 2018, Kroacisë.