Kryeministri Albin Kurti ka shpërfillur sërish Prokurorinë Speciale, duke mos u paraqitur në orën 10:00 për të dëshmuar mbi çështjen e rezervave shtetërore – as pas urdhrit të Gjykatës.
Gjykata kishte lëshuar urdhër që obligon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që të paraqitet sot në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të dhënë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit.
Sipas agjendës së Zyrës së Kryeministrit, në këtë orë, Kurti do të marrë pjesë në vënien e gurit themeltar të çerdhes së re në Gjilan.
Më 19 shkurt, Gjykata Themelore konfirmoi se Prokuroria Speciale i ka kërkuar asaj që ta urdhërojë kryeministrin Kurti që të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit, pasi Kurti kishte refuzuar dy ftesat e mëparshme.
Megjithatë, Kurti tashmë ka arritur në Gjilan. Atje do të marrë pjesë në gurthemelin e një çerdheje.
Javën e kaluar, Zyra e Kryeministrit i ishte drejtuar përmes një letre Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke kërkuar që ta obligojë Prokurorinë Speciale që të marrë dëshminë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, brenda zyrës së tij në Qeveri.