Kurti: 11 ministri bënë 250 kallëzime penale e kërkesa për hetim, asnjë aktakuzë nga Prokuroria

Kurti: 11 ministri bënë 250 kallëzime penale e kërkesa për hetim, asnjë aktakuzë nga Prokuroria

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se gjatë mandatit të tij katërvjeçar në krye të ekzekutivit, 11 ministri kanë bërë 250 kallëzime penale dhe kërkesa për hetim, por nuk është ngritur asnjë aktakuzë nga Prokuroria.

Duke e quajtur skandal këtë rast, Kurti ka njoftuar se në 70 për qind të këtyre kallëzimeve penale dhe kërkesave për hetim bëhej fjalë për 85 milionë euro.

Ai i ka akuzuar Prokuroritë për veprim të ngadalshëm kur bëhet fjalë për kërkesat e ekzekutivit.

“Herën e dytë kur u bëra kryeministër, ministritë tona kanë filluar që të punojnë nëpër administratat e tyre dhe të mbledhin materiale për trashëgiminë që kanë gjetur aty sepse i pengonte që të ecin përpara dhe me këtë rast i kanë bërë gjithsej 250 kallëzime penale dhe kërkesa për hetim në prokurori, sot e kësaj dite nuk kemi veprim të prokurorive. 11 ministri i kanë dorëzuar gjithsej 250 kallëzime penale dhe kërkesa për hetim, ku në 70 për qind të tyre bëhet fjalë gjithsej për 85 milionë euro, ndërkaq për 40 për qind të tyre koha e pritjes është diku 260 vjet. Me këtë rast, ajo çfarë unë mund të konstatoj është që kur vjen puna te kërkesat tona për hetim dhe kallëzime penale, prokuroria veprojnë si kërmij, ndërsa nëse del në ndonjë portal ndonjë shkelje procedurale e ndonjë ministri apo ndonjë aludim, nga kërmij të ngadalshëm shndërrohen në lepuj të shpejtë. Nuk ka aktakuza, nuk ka epilog”, ka thënë Kurti të dielën në emisionin “Rrjedha” në KTV.

Related Articles