Kurti: 12 muaj leje qëndrimi për studentët e huaj që studiojnë në Kosovë

Kurti: 12 muaj leje qëndrimi për studentët e huaj që studiojnë në Kosovë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës do të nisë procesin e integrimit të sistemit arsimor dhe shëndetësor brenda kornizës ligjore të vendit.

Kurti tha se qeveria do të sigurojë nga krerët lokalë listat e stafit akademik dhe shëndetësor që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve, të cilat do të shërbejnë si bazë për pajisjen e tyre me leje të përkohshme qëndrimi.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të fillojë me inkorporimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor brenda kornizës ligjore të vendit tonë. Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me listat e stafit akademik dhe shëndetësor që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Këto lista do të shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarë të huaj që aplikojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës. Mospërputhjet eventuale në raste individuale do të verifikohen nga autoritetet përkatëse, dhe e njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Kosovë për qëllime studimore. Për këtë, krerët komunalë do të ofrojnë listën e plotë të tyre me informata të detajuara për fushën e studimit dhe vitin akademik. Këtyre studentëve, pas aplikimit të suksesshëm, Ministria e Punëve të Brendshme do t’u ofrojë leje të përkohshme qëndrimi me afat 12-mujor, me mundësi vazhdimi në rast të vazhdimit të studimeve. E njëjta procedurë aplikohet edhe për aplikantët e rinj që regjistrohen në vitet e mëvonshme akademike”, tha Kurti,

Ai njëherësh tha se qeveria do të hapë edhe një afat të ri për regjistrimin e fakteve civile për qytetarët serbë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës po ashtu do të hapë një dritare të re 3-mujore për të mundësuar qytetarëve të nacionalitetit serb të regjistrojnë faktet civile që deri më 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë aplikantëve do t’u lejohet përdorimi ekskluzivisht si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale. Ministria e Punëve të Brendshme do të nxjerrë udhëzime të detajuara që mundësojnë regjistrimin e këtyre fakteve”, tha Kurti.

Related Articles