Në shënim të Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri nderime te memoriali “Heroinat”, në Prishtinë.
Kryeministri Kurti citohet të ketë thënë se viktimat dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, gra e vajza, por edhe djem e burra, kanë paguar një çmim të lartë fizik, psikik, emocional për shtetin e për lirinë tonë.
Së bashku me Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimani, Kryeministri bëri thirrje për më shumë mbështetje shoqërore e angazhim për drejtësi.
“Vasfija e Shyretja janë shembuj për mbarë shoqërinë edhe kombin tonë, të thyerjes së heshtjes për një krim monstruoz, i cili ishte armë e luftës, në kuadër të projektit gjenocidal të Serbisë kundër popullit shqiptar të Kosovës’’ – tha Kurti.
‘’Janë mbi 20 mijë gra e vajza, burra e djem, të cilët janë përdhunuar gjatë luftës dhe është pjesë e gjenocidit që kemi përjetuar nga Serbia’’ u shpreh ai, teksa shprehu përulje e mirënjohje për qendresën, ndaj Marte Tunaj dhe të gjitha viktimave të dhunës seksuale që nuk rrojnë më.