Kurti: Çështja e parë e cila kërkon zgjidhje janë të pagjeturit

Kurti: Çështja e parë e cila kërkon zgjidhje janë të pagjeturit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur fjalim në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian për të ardhmen e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. 

Kryeministri ka deklaruar se çështja e parë e cila do të shtrohet për zgjidhje në dialogun me Serbinë është fati i të pagjeturve dhe nëse në këtë fushë nuk ka përparime atëherë sipas tij është e vështirë të këtë përparime në fusha tjera.

Ai ka thënë se Qeveria e Serbisë nuk është distancuar nga regjimi i shtypës i Sllobodan Millosheviqit i cili kishte zhvilluar një fushatë të krimeve dhe spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Kryeministri ka deklaruar se shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte një kompromis ngase me pakon e Atisarit komuniteti serb ka fituar të drejta të zgjeruara dhe ulëse të rezervuara në Kuvendin e Kosovës ku edhe kanë të drejtën e vendosjes së vetos.

Ai ka thënë se në asnjë rrethanë nuk do të pranojë asnjë propozim i cili prek integritetin dhe sovranitetin e vendit. Kurti ka thënë se propozimet e tilla janë konstruksione nga ata të cilët nuk e duan paqen.

“Historia nuk mund të injorohet. Kosova çdo pranverë mban zi dhe i përkujton masakrat e Serbisë në vitin 1998 dhe 1999. Kemi 1 mijë e 639 të pagjetur dhe 22 vjet më vonë familjarët e tyre nuk mund të vendosin lule. Çështja e parë që duhet gjetur zgjidhje janë të pagjeturit. Nëse nuk mund të bëjmë progres atëherë është e vështirë të përparojmë në çfarëdo fushe tjetër. Nuk mundemi të injorojmë historinë. Si Kryeministër që kam mbi 50 përqind të votave, detyra ime e parë është që të mbroj Integritetin, Pavarësinë dhe Kushtetutën  e Kosovës. Jemi për dialog me parime” ka thënë ai.

Kryeministri Kurti në takim me shefin e diplomacisë Evropiane, Josep Borel, ka thënë se Kosova nuk e neglizhon dialogun dhe se ai mund të nis në qershor. Gazeta Enigma

Related Articles