Kurti: Do të hartojë një Strategji Kombëtare për menaxhimin e qenve endacakë

Kurti: Do të hartojë një Strategji Kombëtare për menaxhimin e qenve endacakë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të martë ishte prezent në tryezën për diskutim të strategjisë për trajtimin e qenve endacakë.

Kurti në fjalën e tij ka thënë se prania e madhe e qenve endacakë, është problem për vetë qentë dhe mirëqenien e tyre, por është po ashtu i kthyer në problem të sigurisë së qytetarëve dhe të shëndetit publik në përgjithësi, rapoerton Gazeta ‘Enigma’.

Gjendja e qenve endacakë në Kosovë dhe masat të cilat duhet të ndërmerren urgjentisht, ishin në qendër të diskutimit të sotëm, organizuar nga Zyra e Kryeministrit.

“Fatkeqësisht, në të kaluarën kjo çështje është neglizhuar dhe nuk ka pasur koordinim ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror”, tha kryeministri, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të këtij problemi nga rrënjët e tij, për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme dhe efektive.

Kryeministri theksoi se qeveria do të dedikohet në këtë aspekt duke hartuar një Strategji Kombëtare për menaxhim të qëndrueshëm dhe efektiv të popullsisë së qenve, do të kërkojë po ashtu ndihmë edhe nga akterët, partnerët e huaj në mënyrë që mjetet financiare të mos jenë problem për zbatimin e masave dhe projekteve të qëndrueshme e humane për menaxhimin e popullsisë së qenve, ashtu që Kosova sa më parë të mos ketë më qenë endacak në rrugë.

Qeveria gjithashtu do të zotohet që do të mbështesë nivelin lokal për zbatimin e përgjegjësive ligjore lidhur me këtë temë.

“Edhe pse niveli lokal i ka shumicën e përgjegjësive për të zbatuar masat e nevojshme për menaxhimin e kësaj situate, mbështetja e nivelit qendror qoftë përmes hartimit të politikave dhe zbatimit të tyre, qoftë përmes mbështetjes financiare është jetike për nivelin lokal”, tha ai.

Duke potencuar rëndësinë e koordinimit, kryeministri tha të gjitha ministritë duhet të zotohen që detyrat që kanë të bëjnë me këtë tematikë t’i trajtojnë me seriozitetin më të madh.

Për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronarë, e për çështje të tjera të mirëqenies dhe të drejtave të kafshëve, kryeministri theksoi domosdoshmërinë për bashkëpunim e këshillim edhe nga shoqëria civile.

Në këtë tryezë morën pjesë edhe Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministrat nga ministritë e linjës, udhëheqës e përfaqësues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës, përfaqësues të Odës së Veterinarisë si dhe përfaqësues të Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve.

Ky diskutim ndërmjet të gjithë akterëve kyçë, është i domosdoshëm për bashkërendim të veprimeve për të pasur sukses në zhvillimin dhe pastaj zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Trajtimin e Çështjes së Qenve Endacakë në Kosovë./Gazeta Enigma/

Related Articles