Kurti e emëron në bordin e Trainkos-it, ish-shefin e AKK-së

Kurti e emëron në bordin e Trainkos-it, ish-shefin e AKK-së

Qeveria e Kosovës ka emëruar në mbledhjen e sotme Bordin e përkohshëm të Ndërmarrjes Publike Trainkos Sh.A.

Në mesin e anëtarëve të këtij Bordi do të jetë edhe ish-kryetari i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni.

Përveç Pretenit, në Bord do të jenë edhe Riza Spanca, Astrit Mehaj dhe Shaban Neziri.

Në këtë mbledhje, Qeveria e ka shkarkuar kryesuesin e bordit të drejtorëve të ndërmarrjes publike, Trainkos, Nol Dedajn, të cilin e kishte emëruar vetë më 10 gusht 2022. Ai kishte mbetur anëtar i vetëm i bordit, pasi të gjithë drejtorët kanë dhënë dorëheqje, u tha në mbledhjen e Qeverisë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se “neni 19.3 i ligjit për ndërmarrjet publike i kërkon Qeverisë të shkarkojë anëtarët e bordit të drejtorëve për të cilët ka arsye për të besuar se i kanë shkelur detyrat” që të punojnë me ndershmëri, besnikësi dhe në interes të ndërmarrjes.

“Bordi është vonuar për t’i kërkuar përgjegjësi menaxhmentit për rënien e vazhdueshme të performancës dhe shkeljet e evidentuara të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitet 2016-2021 dhe nuk ka marrë masa për uljen e shpenzimeve në raport me të hyrat e ndërmarrjes”, tha ajo.

Rizvanolli tregoi se “tre anëtarë të bordit kanë dhënë dorëheqje, duke e njoftuar aksionarin se e kanë të pamundshme t’i përmbushin detyrat”

“Dy anëtarë të tjerë kishin dhënë dorëheqje më herët për shkaqe personale. Kështu, kryesuesi ka ngelur i vetmi anëtar i bodit. Këto rrethana japin arsye për të besuar se kryesuesi i bordit ka shkelur detyrat fiduciare dhe nuk ka përmbushur përgjegjësitë e parapara me kodin e etikës dhe qeverisjes korporative. Rrjedhimisht, propozoj shkarkimin e bordit, përkatësisht kryesuesit si anëtar i vetëm i mbetur, z. Nol Dedaj”, tha Rizvanolli.

Related Articles