Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu, i ka ftuar liderët e partive politike ose përfaqësuesit e tyre në një takim të përbashkët të martën, në ora 09:00 në Presidencë.
Takimi, sipas ftesës që Haxhiu ua dërgoi partive politike, është thirrur “në lidhje me zhvillimet aktuale politike, institucionale dhe rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për Presidentin konsensual, rrjedhimisht dhe formimin e institucioneve të tjera kushtetuese”.
Për Haxhiun, e cila po e ushtron detyrën e shefes së shtetit, kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nevojën të thoshte sot se “nuk është duke u kënaqur” në atë karrige.
Kurti tha se Haxhiu është “shumë e angazhuar dhe e interesuar” që të zgjidhet Presidenti i ri, si për të paralajmëruar këtë lëvizje nga ajo.
“E kemi edhe ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e cila është shumë e angazhuar dhe e interesuar që kjo të marrë fund. Albulena nuk është një person e cila është duke u kënaqur në pozitën e ushtrueses së detyrës së Presidentes. Ajo është shumë e interesuar që këtë ta marrë një figurë unifikuese, për të cilën merremi vesh të gjithë ne bashkë”, tha ai.
Vetë Kurti po ashtu sot tha se me partitë synon të diskutojë për emrat e kandidatëve potencialë, edhe pse nuk ka pasur shumë fat me ftesat përveç Abdixhikut, i cili dje po ashtu njoftoi se LDK do të qëndrojë në opozitë. Kurti mirëpriti gatishmërinë e Kurtit për të biseduar për një President konsensual.
“Duhet të takohemi, njëmend të flasim për karakteristikat e figurës presidenciale, por përbesë duhet të fillojmë të flasim edhe me emra, sepse po humbim shumë kohë. A më së shumti humbim kohë duke shkuar në zgjedhje”, tha Kurti.
Por, gazetarëve që insistuan nuk ua tha ndonjë emër.
“Tash më kurseni që unë t’ua them juve emrat, sepse, siç e dini, emrin që e përmendi unë, po ia vënë vulën time, ndërkohë që ato personalitete janë të shquara në shoqërinë tonë. në popullin tonë, dhe unë kërkoj që sa më parë të ulemi me Bedri Hamzën, Lumir Abdixhikun dhe Ardian Gjinin”, tha ai.
