Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufca, kanë pritur sot në takim kryetarin e Gostivarit dhe Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasamin, deputetin Izet Mexhiti dhe deputetin Afrim Gashi.
Në takim, katër politikanët nga Maqedonia e Veriut shprehën propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut.
“Katër udhëheqësit shprehën propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president i cili kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Bëhet e ditur se gjatë takimit, Kurti i ka informuar politikanë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut për takimet dhe bisedat që ka pasur me krerët shtetërorë maqedonas, ndërsa ata e kanë njoftuar për zhvillimet politike atje.
“Temë e diskutimit ishte edhe situata shoqërore e ekonomike e komunitetit shqiptar në Maqedoni të Veriut, nevoja për demokraci e stabilitet si dhe përmirësim e mbarëvajtje të raporteve mes komuniteteve etnike në atë vend, gjë të për të cilën Kosova vetë është shembull, por edhe e promovon dhe e mbështet”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.