​Kurti falënderon deputetët për ratifikimin marrëveshjeve të Berlinit

​Kurti falënderon deputetët për ratifikimin marrëveshjeve të Berlinit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova është vendi i dytë që miraton tri marrëveshje mobiliteti të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit vitin e kaluar dhe e para që i ratifikon ato në parlament.

Ai i bëri thirrje edhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, që të miratojnë marrëveshjet.

“Kosova është vendi i dytë që ratifikon tre marrëveshjet nga Procesi i Berlinit, ndërkaq me 2/3 e votave bëhet shteti i parë në Ballkanin Perëndimor që i ratifikon ato në Kuvend. Falënderues për mbështetjen e secilit deputet dhe secilës deputete. Bashkë, sot dëshmuam se Republika jonë është për bashkëpunim të mirë rajonal dhe për progres dhe ecje të shpejtë në jetësimin e Tregut të Përbashkët Rajonal.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor së bashku përbëjnë një treg me rreth 18 milionë banorë. Marrëveshjet që ratifikuam sot për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, njohjen e ndërsjellë të diplomave të arsimit të lartë dhe njohjen e ndërsjellë të profesioneve të mjekut, stomatologut dhe arkitektit në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, do të rrisin mobilitetin e studentëve, punëtorëve dhe bizneseve do të sjellin përfitime për të gjithë.

Shpresojmë që edhe vendet tjera nënshkruese të ndjekin ritmin e njëjtë ashtu që të mirat për qytetarët tanë të fillojnë sa më parë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Related Articles