Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur edhe për mospajtimet që kanë qenë brenda Grupit Parlamentar të VV-së në Kuvendin e Kosovës, shkruan Enigma.
Në fjalën e tij Kurti duket hapur që iu referohet dy deputetëve të larguar nga partia, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, ndonëse nuk i përmend me emra.
Kurti ka paralajmëruar kandidatët që do të synojnë të futen në listën për deputetë të VV-së që ta lexojnë situatën mirë dhe të vetëdijesohen për përgjegjësinë që e kërkojnë.
“Ia kemi borxh qytetarëve që ta pranojmë atëherë kur bashkëpunimi s’ka funksionuar dhe idetë s’na kanë bashkuar. Shpresoj që kandidatët dhe deputetë e ardhshëm ta lexojnë situatën mirë dhe të vetëdijesohen për përgjegjësinë që e kërkojnë para se t’i futen garës. Besnikëria i takon qytetarëve, së dyti i takon edhe parimeve e kauzës politike të cilën e ndajmë me bashkëaktivistet politik me të cilët futemi në garë bashkërisht”, ka thënë Kurti.
Tutje kreu i VV-së ka thënë se s’mund të marrësh vota për të realizuar qëllim të përbashkët dhe më pas të degradosh në synim individual.
“Nuk mund të fitosh në një mënyrë derisa ta realizosh një qëllim të përbashkët, për ta degraduar atë në synim individual, duke braktisur mënyrën me të cilën je futur në garë”, ka thënë Kurti.
“Transformime të tilla duhet të kritikohen dhe problematizohen në organizatën tonë”, ka thënë Kurti.