Edhe pse janë 27 shtete në Bashkimin Evropian që e njohin Republikën e Kosovës si shtet të pavarur, janë 5 shtete që nuk e njohin.
Këto përfshijnë Spanjën, Sllovakinë, Qipron, Rumaninë dhe Greqinë.
Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është optimist se vendi i tij përfundimisht do të arrijë të bindë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën.
Kurti ka thënë se Kosova në vitet e fundit ka bërë përparime diplomatike sa i përket komunikimit dhe bashkëpunimit me mos njohësit, në veçanti me Greqinë, e cila siç tha ai “mund të jetë afër njohjes së Kosovës”.
Këtë deklaratë Kurti e bëri sot në një intervistë për televizionin polak “TVP World”.
Ai po ashtu tha se Kosova po punon fort në planin diplomatik për t’i bindur pesë vendet e mbetura të BE-së që ta njohin Kosovën.
Kurti shtoi më tej se dëshira e vendit të tij për të hyrë në BE nuk ushqehet vetëm nga interesat vetjake, por se vendi do të donte të kontribuonte në BE, që është projekti më i rëndësishëm politik për paqen që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ai tha gjithashtu se Kosova, duke pasur parasysh kostot e saj të ulëta të funksionimit për sa i përket marrjes me qira të lokaleve dhe fuqisë punëtore, mund të jetë një destinacion ideal për investitorët e huaj.
Ai trajtoi gjithashtu temën e njohjes dixhitale dhe përhapjen e dezinformatave në të gjithë Evropën.