Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në festimin e Ditës së Flamurit të komunitetit Ashkali.
Kurti tha se ishte kënaqësi pjesëmarrja e tij në këtë kremte të komunitetit ashkali, i cili me tradita dhe kulturë, është vlerë e shtuar dhe kontribuues i vlefshëm për shoqërinë dhe për shtetin tonë.
“Qeveria jonë është e përkushtuar që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen pa diskriminim për asnjërin prej tyre. Andaj kemi arritur dialogun me komunitetet jo shumicë ta ngrisim në nivele të pa para më herët, si qytetarë dhe pjesëmarrës të barabartë të vendit tonë”, u shpreh kryeministri Kurti.
Në fjalën e tij Kurti veçoi nismat që kanë përfunduar në të mirë të komuniteteve si dhe theksoi se janë edhe një sërë nismash të tjera nga qeveria jonë, nga të cilat përfitojnë drejtpërdrejt komunitetet, duke ndihmuar me integrim, duke rritur pjesëmarrjen ekonomike dhe sociale, e duke ndërtuar aftësi udhëheqëse.
Më tej, kryeministri tha se ne të gjithë, para se të jemi anëtarë të një komuniteti, jemi pjesëtarë të shoqërisë dhe qytetarë të Republikës.
“Për të arritur progres shoqëror, është i domosdoshëm progresi i vazhdueshëm i të gjithë qytetarëve, duke ua hapur rrugët e lirive e mundësive”, tha Kurti.
Ai shprehu mirënjohje ndaj partnerëve ndërkombëtarë, organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut për punën, angazhimin e palodhshëm dhe kontributin shumë të çmuar për komunitetet.