“Vendi ynë nuk mund të jetë imun ndaj krizës mjedisore, prandaj është e domosdoshme, që t’i mbrojmë dhe t’u sigurojmë menaxhimin e mirë burimeve tona ujore, të ndërtojmë akumulime të reja dhe të sigurojmë ujë për zhvillim ekonomik për brezat e ardhshëm”, tha kryeministri i vendit, Albin Kurti, në konferencën dhe ekspozitën e nëntë të përbashkët ballkanike, për vlerën e ujit.
Kurti tutje ka thënë që projektet e realizuara në të kaluarën, në emër të politikave mjedisore, duke ndërtuar dhjetëra hidrocentrale të vogla pa planifikim dhe llogaritje të mirëfilltë, kanë përkeqësuar gjendjen e ujërave në vend.
“Nevojitet një rishikim i thellë i qasjes sonë ndaj shfrytëzimit të ujit, ajrit, pyjeve, mjedisit e burimeve tona, me një rimendim të hapësirës publike duke u bazuar në parim të drejtësisë sociale dhe jetës së dinjitetshme, tha kryeministri, duke potencuar domosdoshmërinë për studim, planifikim e investim”.
Kurti theksoi se ndaj keqpërdoruesve të resurseve ujore dhe zaptuesve të burimeve ujore nuk do të ketë kompromis.
“Në Republikën tonë janë shtatë Kompani Rajonale të Ujësjellësve (KRU), që menaxhojnë dhe shpërndajnë ujin për qytetarët. Qasja në ujësjellës publik, të menaxhuara nga Kompanitë Rajonale të Ujësjellësve deri në fund të vitit 2022 do ta arrijë shifrën 83%, nga 79% sa është aktualisht”, tha kryeministri.
Më tej, ai theksoi synimin e Qeverisë që ta ngre këtë në 95% përmes integrimit të sistemeve rurale (6.74%) nën menaxhim të KRU-ve dhe obligimit për kyçje individuale të 4.56% të vendbanimeve, ku rrjeti ka vite që është ndërtuar, por uji nuk lëshohet. Rreth 5% të vendbanimeve mbetën pa ujësjellës, kryesisht fshatrat në zonat malore apo kufitare. /Gazeta Enigma.