Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kujtuar aktivistin boshnjak Shefko Sallkoviq në 14-vjetorin e vrasjes së tij në Leposaviq, raporton Gazeta ‘Enigma”.
Kurti përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka shkruar për këtë ngjarje, që sipas tij ishte “një sulm që synonte përhapjen e frikës dhe panikut tek ata që përpiqeshin të integroheshin në institucionet e Kosovës, veçanërisht në komunat veriore të banuara kryesisht nga serbë”.
“Shefko Sallkoviq ishte aktivist boshnjak që tregonte lojalitet ndaj Republikës së Kosovës dhe njihej për angazhimin e tij në proceset zgjedhore e përfaqësimin e komunitetit në zonën e Leposaviqit. Për Serbinë, kjo ishte e papranueshme, dhe u bë shkas që 14 vjet më parë, më 8 dhjetor 2010, Shefko Sallkoviq, të vritej në fshatin Podstenje, në Leposaviq. Përgjegjësinë, e mori fillimisht formacioni paraushtarak “Beli Orlovi” (Shqiponjat e Bardha) nga Serbia”.
“Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00, katër ditë para zgjedhjeve të parakohshme të 12 dhjetorit 2010, në të cilat Sallkoviq ka qenë dhe komisioner i koalicionit pjesëmarrës në ato zgjedhje, “Vakat”. Në pritën e ngritur nga kryesit e sulmit, mbeti i plagosur edhe Edin Islamoviq, i cili ndodhej në veturë me Shefkon, por arriti të kërcejë në Ibër pas të shtënave. Edinin kanë tentuar ta vrasin edhe deri sa po qëndronte i shtrirë në QKUK. Edini ka mbetur invalid dhe lëvizë me karrocë”, shkroi Kurti.
“Vrasja e Sallkoviq ishte një sulm që synonte përhapjen e frikës dhe panikut tek ata që përpiqeshin të integroheshin në institucionet e Kosovës, veçanërisht në komunat veriore të banuara kryesisht nga serbë”, shtoi ai.
Kurti shkroi se “hetimet kishin treguar se përgjegjës për vrasjen e tyre ishin Jugoslav Petroviq dhe Radomir Deliq, pjesëtarë të institucioneve serbe të sigurisë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë”.
“Ata u arrestuan në Beograd për trafikim me substancë narkotike, më 27 dhjetor 2010, por asnjëri prej tyre nuk është procesuar deri tash në mënyrë direkte për vrasjen e plagosjen e ndodhur 14 vite më parë. Dyshohet se së paku njëri nga prej tyre, ka qenë në Kosovë në periudhën 1998-1999 si pjesëtarë të “Beretave të Kuqe” të komanduara nga “Llegija”. Shefko Sallkoviq e përkujtojmë sot, si qëndrestar kundër Serbisë dhe si aktivist i së drejtës, i komunitetit dhe i Republikës. 14 vite më vonë, strukturat serbe të cilat frikësojnë, shantazhojnë e vrasin anëtarë të komuniteteve, i kemi luftuar e zmbrapsur nga territori i Republikës së Kosovës. Qytetarët tanë në secilin lokalitet, si në Rëvatska ashtu edhe në të gjithë territorin tonë, duhet të jetojnë të lirë dhe pa frikë në jetësimin e vullnetit të tyre”, shkroi ai. /Gazeta Enigma/