Gjini pas mbledhjes së Kryesisë: Aleanca kërkon ndarjen e çështjes së Hagës nga politika partiake

Gjini pas mbledhjes së Kryesisë: Aleanca kërkon ndarjen e çështjes së Hagës nga politika partiake

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka njoftuar se sot është mbajtur mbledhja e radhës e Kryesisë së partisë, e para pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe pak ditë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Gjini ka thënë se Aleanca mbetet e prerë në qëndrimin e saj ndaj Gjykatës Speciale, dhe do të vazhdojë të kërkojë që ndihma ligjore për krerët e UÇK-së në Hagë dhe mbrojtja e të drejtave shtetërore të Kosovës të mos përzihen me politika partiake.

Ai ka folur edhe për procesin e zgjedhjes së presidentit, duke shprehur shqetësim për zvarritjen e mëtejshme të tij.

“Zvarritja e mëtejshme e procesit për zgjedhjen e presidentit, duke shkuar drejt fundit të afatit të caktuar nga Kushtetuesja, dhe tendencat për manovra me afate dhe lëndë të reja në Gjykatën Kushtetuese, rrezikojnë të krijojnë një paqartësi edhe më të madhe për qytetarin e Kosovës”, ka deklaruar Gjini.

Kreu i Aleancës ka theksuar se partia e tij ka qenë, sipas tij, konsistente dhe konstruktive për çështjet që lidhen me historinë, të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

“Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha rrugët tona politike për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për të rikthyer normalitetin institucional, si dhe zhvillimin ekonomiko-social në vend”, ka thënë Gjini.

Related Articles