Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka mbajtur një fjalim mbi temën ndërlidhjes mes Gjeopolitikës dhe Integrimit Evropian, me vëmendje të veçantë te Ballkani Perëndimor, në kuadër të sesioneve të Forumit të Varshavës për Siguri.
Atje, Kurti tha se për Ballkanin Perëndimor, e veçanërisht për Republikën e Kosovës, integrimi i plotë euroatlantik në NATO dhe Bashkimin Evropian, mbetet qëllimi përfundimtar i sigurisë.
“Për ne në Ballkanin Perëndimor, e veçanërisht për Republikën e Kosovës, integrimi i plotë euroatlantik në NATO dhe Bashkimin Evropian, mbetet qëllimi përfundimtar i sigurisë. Kjo, krahas aftësive të mjaftueshme mbrojtëse dhe marrëveshjeve dypalëshe të sigurisë me aleatët tanë më të afërt, formon një ombrellë solide sigurie. Ashtu si Rusia, NATO dhe BE kanë një histori zgjerimi. Por ndryshe nga Rusia, zgjerimi i tyre ka ecur në një mënyrë paqësore dhe demokratike”, u shpreh Kurti.
Ai gjithashtu foli për rëndësinë e zgjerimit të BE-së dhe NATO-s, integrimin e Kosovës si dhe rritjen e bashkëpunimit, si kundërpërgjigje ndaj influencës ruse.
Sipas kreut të ekzekutivit, “në rajonin tonë nuk ekziston asnjë kërcënim më i madh se agresioni serb dhe rreziku që ndikimi rus të punojë së bashku me atë agresion”.
“Fatkeqësisht, e njëjta Serbi që nën regjimin e Millosheviqit në vitet e 90-ta kreu gjenocid në Bosnjë dhe Kosovë, vazhdon të kërcënojë pa u penduar. Serbia minon paqen në Ballkanin Perëndimor duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të fqinjëve të saj, përfshirë Kosovën. Vitin e kaluar, aksionet e njëpasnjëshme agresive të Serbisë kulmuan me një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023. Militantë të armatosur të trajnuar në Serbi, me armatim prej miliona euro, hynë në vendin tonë, duke organizuar një sulm nga Manastiri Ortodoks i Banjskës. Qëllimi i tyre ishte të përsërisnin veprimet e Rusisë të vitit 2014 në Donbas”, tha kryeministri. /Gazeta Enigma