Kurti në 27-vjetorin e Betejës së Koshares: Sakrificë për liri dhe shembje të kufirit

Kurti në 27-vjetorin e Betejës së Koshares: Sakrificë për liri dhe shembje të kufirit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përkujtuar 27-vjetorin e fillimit të Betejës së Koshares, me ç’rast e cilësuar këtë ngjarje si një përpjekje për shembjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe për çlirimin e vendit, raporton Gazeta Enigma.

“Më 9 prill 1999, në mëngjes herët, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mësyen mbi pozicionet ushtarake të Serbisë në brezin kufitar mes Republikës së Shqipërisë dhe Jugosllavisë, duke sulmuar mbi bazën “7 korriku”, Rrasën e Koshares dhe majen Gllava. Nga ajo ditë, deri më 10 qershor, për dy muaj të plotë rresht, mijëra pjesëtarë të UÇK-së do të përfshiheshin në luftimet e Betejës së Koshares, në një territor të shtrirë prej disa kilometrash dhe në një reliev të thyer malor e kodrinor”, ka shkruar ai.

Kurti ka theksuar se më 9 prill 1999 filluan luftimet në zonën kufitare, ku forcat e UÇK-së u përballën me ushtrinë jugosllave në një terren malor dhe të vështirë, ndërsa beteja vazhdoi deri në përfundimin e fushatës ajrore të NATO-s.

“Beteja e Koshares nisi dy javë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi dhe vazhdoi deri në ditën e fundit të kësaj fushate. Gjatë atyre ditëve, një ushtri çlirimtare dhe gjithëkombëtare vullnetarësh siç ishte UÇK-ja, u kthye në një aleate të aleancës më të madhe ushtarake të botës, NATO-s, që së bashku i ndaluan fushatat e spastrimit etnik dhe të gjenocidit që Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit po i kryente ndaj shqiptarëve të Kosovës”, shkruhet tutje në postimin e tij.

“Në anën kundërshtare, pala serbe asnjëherë nuk do t’i publikonte të plota të dhënat e humbjeve të turpshme prej kësaj beteje, por mbi 100 pjesëtarë të ushtrisë jugosllave mbetën të vrarë kurse shumëfishi i numrit të tyre u plagosën. Çdo pranverë, i kujtojmë me mirënjohje dhe nderime të gjithë luftëtarët e UÇK-së që morën pjesë me guxim në Betejën e Koshares, duke dhënë djersë, mund dhe gjak për atdheun tonë dhe lirinë e popullit. Lavdi u qoftë dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares, sot e përmot!”, shkroi Kurti në rrjetin social “Facebook”.

Related Articles