Kurti në Bruksel theksoi nevojën për rigjenerimin nga humbjet ekonomike

Kurti në Bruksel theksoi nevojën për rigjenerimin nga humbjet ekonomike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrim Evropian dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla-Schwarz, janë takuar me Paolo Gentiloni, Komisioner i Bashkimit Evropian për Çështjet Ekonomike dhe Financiare.

Kurti ka thënë se Kosova ka mirëpritur paketën e zgjerimit të BE-së 2020, të lëshuar në tetor, veçanërisht Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Në komunikatën e lëshuar për media thuhet se në takim u diskutua për ndikimin negativ të pandemisë COVID-19 në ekonomi, dhe domosdoshmërinë për angazhim serioz për rigjenerim nga humbjet e shkaktuara.

“Kryeministri theksoi përkushtimin për menaxhimin në mënyrë të përgjegjshme dhe të qëndrueshme të financave publike, duke u kujdesur njëkohësisht për ata që kanë nevojë dhe që janë dëmtuar më së shumti nga pasojat e pandemisë”, thuhet në njoftim.

Kurti e njoftoi Komisionerin Gentiloni për synimet e programit të Qeverisë në fushën e zhvillimit ekonomik dhe planet për përmirësimin e kornizës ligjore, si edhe të politikave për transformimin dixhital në shërbim të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Ai prezantoi mundësitë që Kosova ofron për zhvillim ekonomik, duke përfshirë “rininë e talentuar dhe shpirtin ndërmarrës të mërgatës”.

“Investimi në krijimin e vendeve të reja të punës mbetet prioritet i lartë i qeverisë”, shtoi ai.

Related Articles