Kryeministri aktual i vendit dhe kandidati për kryeministër për zgjedhjet e 9 shkurtit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, ka mbajtur tubim me qytetarët në Komunën e Kamenicës, shkruan Gazeta “Enigma”.
Nga atje, Kurti nuk rezervoi fjalët për qeveritë e kaluara që tashmë janë në opozitë.
“Po i ndreqim gabimet një pas një, të atyre qeverive që tashmë janë në opozitë, dhe ata nuk bën të kthehen sepse, sinqerisht, nuk kanë ku kthehen. Nuk kanë ku kthehen, sepse shteti i Kosovës sot, dhe karakteri i atyre që vjen nga dje, nuk përputhet dhe e përjashtojnë njëra-tjetrën”, tha Kurti.
“E këto partitë opozitare, me keqardhje e them se moti janë bërë si mallra që shiten e blihen, por kësaj radhe, edhe iu ka skaduar afati”
Tutje, ai tha se disa mediume në vend po e sulmojnë me akuza e shpifje.
“Portale oligarkësh po na sulmojnë e po na akuzojnë me shpifje nga më të ndryshmet. Thjeshtë, disa njerëz nuk po mund të pajtohen me faktin se nuk po ka kurrfarë rëndësie, se çka thonë ata”, vazhdoi ai. /Gazeta Enigma/