Kurti në mbështetje të listës së Shaip Kamberit

Kurti në mbështetje të listës së Shaip Kamberit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte mbrëmë i ftuar dhe folës në tubimin e mbajtur në mbështetje të listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 17 dhjetorit në Serbi.

Duke folur për koalicionin e përbërë nga pesë parti shqiptare, Partia për Veprim Demokratik, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja e Progresit Demokratik, Unioni Demokratik Shqiptar dhe Aleanca për Luginën, që po garojnë së bashku në një listë, kryeministri tha se ai përbëhet me figurat që bartin integritet të lartë moral dhe patriotik, njerëz që shquhen për aktivitetin e tyre politik për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Luginë.

“Ky bashkim i shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në këto zgjedhje është dëshmi që mund të jemi edhe për pluralizëm politik edhe unitet kombëtar, mund të jemi edhe patriotë edhe demokratë, dhe se beteja e këtillë politike është e drejtë për nga karakteri i saj dhe se e gëzon mbështetjen tonë”, tha Kurti.

Për Shaip Kamberin tha se është një zë i fuqishëm i reciprocitetit. Ai i ftoi të gjithë që të bashkohen e ta mbështesin atë dhe listën e përbashkët për t’iu kundërvyer regjimit autoritar e antishqiptar në Serbi, dhe për t’i dale në mbrojtje dhe avancim të të drejtave dhe lirive për komunitetin tonë shqiptar që jeton në atje.

Related Articles