Kurti në mëngjes u takua me Osmanin ku u mor edhe vendimi për pronat e Manastirit

Kurti në mëngjes u takua me Osmanin ku u mor edhe vendimi për pronat e Manastirit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, sot në mbledhjen e Qeverisë i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale ta regjistrojë pronën e Manastirit të Deçanit sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas kësaj, 24 hektarë tokë i kalojnë në pronësi të Manastirit, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 26 maj, 2016.

Para marrjes së këtij vendimi nga ana e ekzekutivit, kreu i saj Albin Kurti, sot në mëngjes u konsultua me presidenten Vjosa Osmani.

Klankosova.tv mëson nga burimet se takimi u zhvillua në Presidencë ku në këtë takim ishte i pranishëm edhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu.

Emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, e përshëndeti vendimin për pronat e Manastirit të Deçanit.

Escobar e quajti Osmanin “garantuese kryesore të raporteve ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës”.

Vendimin që mori sot Qeveria e Kosovës, ishte kundërshtuar për shumë kohë nga ana e kryeministrit aktual, duke e cilësuar si “vendim të Millosheviqit”.

E zbatimi i këtij vendimi u përshëndet nga komuniteti ndërkombëtar që e cilësuan si “guxim politik” dhe “hap të domosdoshëm”.

Related Articles