Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se nuk mund të flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duke “braktisur njohjen reciproke”.
Në një intervistë për KosovaPress, ai tha se nuk pranon që Asociacioni të vendoset në qendër të raporteve Kosovë-Serbi.
“Ai dokument [draft-statuti i Asociacionit] ka qenë i propozuar nga ndërmjetësit, i panënshkruar, dhe si i tillë ai dokument nuk ka mundur të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, prandaj besoj që duhet të përqendrohemi te marrëveshja bazike, neni 7 flet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb, le të adresohet aty dhe neni 10 flet edhe për të gjitha marrëveshjet të cilat janë realizuar në të kaluarën e të cilat janë ligjërisht të obligueshme”.
“Tash, nuk besoj që në qendër të raporteve Kosovë-Serbi është, apo duhet të jetë Asociacioni – është njohja reciproke”, thotë Kurti.
“Nuk mund të flasim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duke braktisur njohjen reciproke. Pra, në qendër të marrëveshjes bazike është së paku njohja reciproke defacto. Unë nuk e mohoj që pararendësit dy herë e kanë nënshkruar Asociacionin, më 2013 dhe 2015, nuk e mohoj një gjë të tillë, mirëpo në të njëjtën kohë nuk pranoj që të vendoset në qendër Asociacioni në raportet Kosovë-Serbi”, shton ai.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dakordim për marrëveshjen e Brukselit në shkurt 2023, dhe Aneksit të Ohrit në mars të atij vitit, por nuk ka pasur zbatim.