Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Bekë Berisha, ka komentuar dokumentin për strategjinë e sigurisë, të paraqitur sot nga kryeministri Albin Kurti.
Berisha ka kritikuar ashpër këtë dokument duke thënë se është i përpunuar shumë dobët.
Ai ndër të tjera tha se nuk kanë qenë paraprakisht as ai e as anëtarët e tjerë të Komisionit për Siguri në lidhje me këtë dokument.
Më poshtë keni fjalimin e plotë të Berisha:
“Sot kam me vete katër dokumente, pesë me atë që është aktual e që është një dokument i dobët. Poashtu kam tri dokumente të strategjisë të përpunuara nga qeveritë e kaluara, të cilat janë poashtu të dobëta dhe dokumentin e fundit që e paraqiti kryeministri e që paraqet strategjinë ndërkombëtare të sigurisë për tani e tutje, e që është një dokument “frankstein” e që është i përbërë prej dokumenteve paraprake që kanë qenë të dobëta, mirëpo këtu sikur është forcu pak me një fjalim të kryeministrit”.
“Neve na u tha që e kemi shqyrtu, por neve na erdh si dokument i gatshëm. Ky dokument nuk është sekret, këtë kanë të drejtë me komentu qytetarët e Kosovës, deputetë, por mbi të gjitha edhe Komisioni për Siguri. Ky është mbajtë msheftë nga Komisioni, apo është mbajtur mshef prej meje. Tash, unë ju tregoj si është shku rrjedha e kësaj pune…
Strategjia e fundit e cila është ardhë sot si draft, ka dalë për publikun qysh në muajin mars të këtij viti. As unë e as anëtarët e tjerë të Komisionit për Siguri nuk kanë qenë të njoftuar paraprakisht. Qeveria na ka dorëzu, vetëm pasi është shqyrtu nga kryeministri duke anashkaluar Komisionin për Siguri dhe çështje të mbrojtjes.
Kjo strategji nuk duhet të mbahet sekret, por u mbajt nga Qeveria”.
“Personalisht nuk jam i ftuar e as i informuar në asnjë mbledhje të Këshilli Kombëtar të Sigurisë, e cila më takon si vëzhgues.
Ky dokument nuk është një strategji, por është mbledhje e katër dokumenteve të dobëta. Këtë dokument të fundit e ka përpilu një zyrtar i shtetit, për të cilën e falenderoj për mundin por nuk është ekspert dhe nuk ka ditë ta bëjë. Ky është një dokument i rëndësishëm. Është një djalë i ri, punon qaty në Kryeministri.
Ky dokument nuk e ndihmon sigurinë. Ju merreni qysh doni, analizoni, por ky dokument nuk është adekuat”, tha Berisha.