Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk është kryetar i ndonjë komisioni disiplinor e aq më pak për dikë që i përket një partie tjetër, duke iu përgjigjur pyetjes për deklaratën e deputetit Fatos Geci gjatë seancës së djeshme parlamentare që i uroi burgim të përjetshëm ish-presidentit Hashim Thaçi për gjykimin në Hagë.
Duke folur nga Klinika e Kardiologjisë të mërkurën, Kurti rikujtoi qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si “gjykatë jonormale dhe jo transparente”. Ai shtoi se janë të bindur për drejtësinë e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, të udhëhequr nga UÇK, si dhe për pafajësinë e krerëve që po mbahen në Hagë.
“Jam vetëm kryetar dhe vetëm kryeministër, nuk jam edhe najfarë kryetari i ndonjë komisioni disiplinor, aq më pak për dikë që i përket një partie tjetër”, u shpreh Kurti, duke e cilësuar Gecin si pjesë të Partisë Guxo.
