Inspektohen 110 vendpunishte, Azemi: Gjobat ndaj pronarëve duhet të ashpërsohen

Inspektohen 110 vendpunishte, Azemi: Gjobat ndaj pronarëve duhet të ashpërsohen

Aksioni i Ministrisë së Punës në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Punës për inspektimin e sektorit të ndërtimtarisë po vazhdon.

Sipas raporteve të 48-orëve të para, janë inspektuar 110 vendpunishte, janë ndaluar punimet në 50 prej tyre dhe janë dhënë 33 vërejtje.

Bazuar në të njëjtat raporte, në Prishtinë janë inspektuar 12 vendpunishte, në Fushë Kosovë 10, në Ferizaj 13, në Gjilan 12, në Mitrovicë 13, në Lipjan 12, në Podujevë 11, në Drenas 11 dhe në Gjakovë 16.

E si shkaktar kryesor për vdekjet në vendin e punës, nga kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, po vlerësohet mungesa e vigjilencës dhe nga pakujdesia e pronarëve të kompanive ndërtimore.

Madje, ai potencon faktin që gjobat që i marrin këta pronarë nga Gjykatat ose inspektorët janë të buta dhe se duhet të ashpërsohen.

“Edhe dënimet e gjykatave edhe të inspektorëve janë aq të buta sa që s’mund të marrësh me mend. Kur e shohim që një punëtor vdes në vendin e punës, një pronar ose menaxher i kompanisë mund të mbahet për 48 orë në stacionin e policisë dhe pastaj është i lirë. Mendoj që Inspektorati Qendror i Punës duhet të pajiset më shume me inspektorë të punës, inspektorë që dinë të zbatojnë Ligjin mbi Sigurinë dhe Shëndetin në rend të parë. Në rend të dytë, të jenë më vigjilent dhe rastet që i shohin se janë me rrezikshmëri duhet t’i mbyllin deri në një kohë të caktuar”, theksoi Azemi.

Azemi thekson se 70 për qind të vdekjeve në vendin e punës vijnë nga sektori i ndërtimtarisë dhe mosha mesatare e viktimave është 38 vjeç.

“Pjesa më e madhe e të vdekurve në vendin e tyre të punës vjen nga ndërtimtaria, ku 70 për qind të vdekjeve vjen nga ky sektor, ndërsa mosha mesatare e të vdekurve është 38 vjeç”, tha tutje ai për Koha.net.

Azemi shton se pronarët e kompanive duhet të vetëdijësohen më shumë rreth këtyre problematikave dhe çdo pronar kompanie duhet të edukohet më shumë rreth rreziqeve në vendin e punës. Sipas tij, nëse të njëjtit respektojnë Ligjin mbi Sigurinë dhe Shëndetin, këto raste do të shmangeshin dhe nuk do të ndodhnin shpesh.

Ky aksion i nisur në fillim të javës do të zgjasë gjithsej 15 ditë dhe do të zhvillohet në shtatë rajone. 

Related Articles