Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e përmbylljes së programit për bursistët e gjeneratës së dytë në kuadër të Programit për Diplomaci Qytetare, ku u mirëpriten edhe bursistët e gjeneratës së tretë.
Kurti tha se Programi për Diplomaci Qytetare është nismë e jashtëzakonshme, që sipas tij, bashkon profesionistë të rinj nga mërgata, duke iu dhënë mundësi dhe duke i frymëzuar ata që të kontribuojnë në mënyrë aktive në zhvillimin politik, ekonomik e shoqëror të Kosovës.
“Qeveria jonë prej kohësh ka luajtur një rol jetik në mbështetjen, por paraprakisht mirënjohjen e rolit jetik të mërgatës dhe atë si një segment kyç i strategjisë sonë kombëtare. Diaspora jo vetëm që kontribuon ndjeshëm në rritjen tonë ekonomike, por gjithashtu sjell njohuri të vyera, ekspertizë profesionale dhe perspektiva globale”.
“Për më tepër, diaspora shërben si një urë lidhëse mes Kosovës dhe botës, duke promovuar më të mirat e vendit tonë në arenën ndërkombëtare”, tha Kurti, transmeton Klankosova.tv.
Ai shtoi se nga gjenerata e parë, 80% e pjesëmarrësve kanë vazhduar punën në Kosovë, e ky trend sipas tij, po rritet.
Ndërsa, siç tha Kurti, 30% te gjenerata e parë, më shumë se 50% e pjesëmarrësve të gjeneratës së dytë kanë aspirata për të vazhduar angazhimin e qëndrimin këtu, disa prej të cilëve tashmë kanë nënshkruar kontrata për angazhim nga 1 shtatori.
“Gjatë këtij programi, kam pasur privilegjin që të takoj shumë nga këta individë të talentuar në raste të ndryshme. Përmes këtyre takimeve, kam fituar njohuri të drejtpërdrejta mbi të arriturat e tyre profesionale, sukseset dhe sfidat me të cilat ata përballen në angazhimin e tyre në Kosovë. Përkushtimi dhe vendosmëria e tyre janë vërtetë frymëzuese, dhe jam i sigurt se kontributet e tyre do të lënë një ndikim të përhershëm në vendin tonë”, tha ai.